• e diel, 22 dhjetor 2024

Debati rreth amendamenteve për ribalancin e Buxhetit për vitin 2024 vazhdon nesër

Debati rreth amendamenteve për ribalancin e Buxhetit për vitin 2024 vazhdon nesër

Shkup, 31 korrik 2024 (MIA) - Komisioni parlamentar për financim dhe buxhet sot në vazhdimin e ditës së tretë të debatit rreth amendamenteve për ribalancin e buxhetit për vitin 2024, shqyrtoi por nuk miratoi 11 amendamente.

Pjesa më e madhe e amendamenteve janë dorëzuar nga Fronti Evropian, ndërsa kanë të bëjnë me mjetet për ndërtimin e projekteve infrastrukturore për ujësjellës dhe kanalizim në komunën e Kërçovës dhe komunën e Haraçinës.

Nuk janë miratuar amendamentet e LSDM-së për projektin e ujësjellësit në fshatin Bistricë - komunë e Manastirit, mjete për projektin për zvogëlimin e humbjeve të ujit në komunën e Vallandovës dhe amendamentet për bujqësinë, ndër të cilat edhe ai për pagesën e parakohshme të subvencioneve për fermerët.

Në arsyetimin e refuzimit të amendamenteve, zëvendësministri i Financave Nikollçe Jankullovski u bëri thirrje komunave që të aplikojnë me projekte në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve përmes të cilave ka siguruar 107 milionë euro përmes programit për projekte për rindërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve lokale, ndërsa nga ky ribalanc prej 12.3 milionë euro shtesë janë paraparë në buxhet për këtë qëllim.

Sipas Rregullores, debati rreth amendamenteve duhet të përfundojë për gjashtë ditë. Për ribalancin e buxhetit janë dorëzuar 58 amendamente, por gjatë diskutimit disa prej tyre janë tërhequr nga propozuesit. Komisioni deri më tani nuk ka pranuar asnjë amendament dhe dje dhe pardje ka shqyrtuar dhe ka hedhur poshtë gjithsej 16 amendamente. 

Seanca vazhdon nesër në orën 11 e 30 minuta.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR