• e hënë, 23 dhjetor 2024

Debati Bajden/Tramp: I pari i hutuar, i dyti agresiv, për Bajdenin kundërkandidati është qaraman dhe rrugaç, Trampi thotë se do ta përfundojë luftën në Ukrainë

Debati Bajden/Tramp: I pari i hutuar, i dyti agresiv, për Bajdenin kundërkandidati është qaraman dhe rrugaç, Trampi thotë se do ta përfundojë luftën në Ukrainë

Atlanta, 28 qershor 2024 (MIA) - Presidenti amerikan Xho Bajden dhe rivali i tij republikan Donald Tramp shkëmbyen disa ofendime personale në debatin e shumëpritur, por u fitua përshtypja se paraqitja e Bajdenit në disa momente ishte hezituese dhe e pasigurt, përderisa Trampi filloi me një seri të sulmeve verbale. 

Të dy shkëmbyen argumente dhe kritika për abortin, emigrimin, luftërat në Ukrainë dhe Gazë, menaxhimi i tyre me ekonominë, e madje e përmendën edhe lojën e tyre në golf. 

Siç zhvillohej diskutimi, dukej se Bajdeni filloi më shumë që të fokusohet në sulmin e Trampit, mes tjerash, duke e quajtur "krim" për shkak të bindjes së tij për mbulimin e pagesave të fshehta për yllin pornografik Stormi Daniels.

Bajdeni dërgoi një varg kritikash kundër Trampit për shkak të problemeve të tij ligjore, duke e krahasur moralin e paraardhësit të tij me "rrugaçe" dhe duke e quajtur "kriminel të dënuar".

Si përgjigje, Trampi përkujtoi se djali i Bajdenit, Hanter, para pak kohësh ishte dënuar për gënjim për përdorim të drogës me qëllim që të blejë armë.

I pyetur për sulmin e turmës së mbështetësve të tij ndaj Kapitollit amerikan më 6 janar 2021, Trampi refuzoi të pranojë çfarëdo lloj përgjegjësie dhe thoshte se shumë nga të arrestuarit janë të pafajshëm.

"Ky tip nuk ka kuptim për demokracinë amerikane," u përgjigj me tallje Bajdeni.

Për të drejtat e abortit dhe emigrantët, Bajdeni e akuzoi Trampin se ka mundësuar shfuqizimin e të drejtave të abortit në të gjithë vendin duke emëruar konservatorë në Gjykatën e Lartë të SHBA. Trampi u përgjigj se Bajdeni nuk mbështet asnjë kufizim për abortin dhe argumentoi se kthimi i çështjes në shtete ishte gjëja e duhur për t'u bërë.

Trampi, gjithashtu, tha se Bajdeni nuk arriti ta sigurojë kufirin jugor të SHBA-së, që solli shumë kriminelë në vend, duke e akuzuar Bajdenin si "kriminel të emigrantëve". 

Bajdeni u përgjigj se po e tepron dhe se përsëri gënjen.

Presidenti aktual amerikan tha se dyshon se Trampi do t'i pranojë rezultatet në zgjedhje nëse humb, duke e quajtur ish presidentin "qaraman".

Kur bëhet fjalë për politikën e jashtme, Trampi e quajti tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Afganistani "ditën më të turpshme në historinë e vendit tonë".

Ai gjithashtu përsëriti pretendimet e tij se do t'i jepte fund luftës në Ukrainë nëse rizgjedhej, por nuk dha detaje se si do ta arrinte këtë. Ai tha gjithashtu se kushtet e paraqitura nga presidenti rus Vladimir Putin për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë "janë të papranueshme".

Trampi drejtpërdrejtë nuk u përgjigj nëse do të mbështesë shtet të pavarur palestinez për ndërprerje të luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë, por tha edhe se sulmi i vitit të kaluar i Hamasit ndaj Izraelit nuk do të ndodhte nëse ai ishte president.

Në studion e Si-En-En në Atlantë nuk kishte publik, ndërsa dy kandidatët nuk u përshëndetën me dorë në fillim të debatit. 

Pyetjet e para ishin të fokusuara në ekonomi, sepse anketat tregojnë se amerikanët janë të pakënaqur nga puna e administratës së Bajdenit edhe krahas pagave të rritura dhe papunësisë së vogël.

Bajdeni e pranoi se inflacioni ishte dukshëm më i lartë se sa në fillim të mandatit të tij, por gjithashtu thotë se meriton mirënjohje për ruajtjen e tij, veçanërisht në kontekst të ndikimit të pandemisë së koronavirusit.

Trampi thoshte se para pandemisë, ekonomia e SHBA-së ishte më e fuqishmja në histori dhe se pas shpërthimit të pandemisë, ai ka ndërmarrë hapa që të parandalohet që edhe më shumë të thellohet rënia e lirë ekonomike.

Bajdeni e akuzoi Trampin se i ka lënë ekonomi "të tmerrshme", përderisa Trampi tha se përballja me pandeminë e Bajdenit është "katastrofë" dhe se "inflacioni absolutisht po na mbyt".

Bajdeni (81) dhe Trampi, (78) janë dy kandidatët më të vjetër për president të Shteteve të Bashkuara në histori, dhe të dy hynë në debat me dobësi politike që paraqesin përzierje rreziku dhe mundësie. Përballja është shumë më herët se zakonisht, më shumë se katër muaj para zgjedhjeve të 5 nëntorit dhe në një kohë kur anketat parazgjedhore parashikojnë "garë të vdekur".

Dyshja përballet me polarizimin e thellë në vend dhe shqetësimet e votuesve për gjendjen e politikës amerikane. Dy të tretat e votuesve në një anketë të Rojters/Ipsos në maj thanë se ishin të shqetësuar se mund të kishte dhunë pas zgjedhjeve, gati katër vjet pasi mbështetësit e Trampit sulmuan Kapitolin.

Përderisa anketat kombëtare parashikojnë garë të ngushtë, Trampi kryeson në shumicën e shteteve kyçe. As Bajdeni dhe as Trampi nuk janë të njohur, ndërsa shumë amerikanë janë të pavendosur. Rreth një e pesta e votuesve thanë se nuk kishin zgjedhur një kandidat, ishin të prirur drejt një kandidati të tretë ose mund të mos votonin fare, sipas anketës së fundit të Rojters/Ipsos. fc/

Fotografia: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR