• e enjte, 04 dhjetor 2025

Debat publik për përmirësimin e Ligjit të ardhshëm për punësimin e personave me aftësi të kufizuara

Debat publik për përmirësimin e Ligjit të ardhshëm për punësimin e personave me aftësi të kufizuara

Shkup, 24 qershor 2025 (MIA) - Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, në kuadër të "Projektit për administrimin e sigurimeve shoqërore" - i mbështetur nga Banka Botërore, ka filluar procesin e përgatitjes dhe miratimit të Ligjit për rehabilitimin profesional dhe mbështetjen në punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Në kuadër të këtij aktiviteti, sot Ministria përkatëse në "Klubin e deputetëve" në Shkup i mbajti takimet e para të punës me përfaqësues të komunitetit të prekur dhe aktorë të tjerë relevantë. Është paralajmëruar vazhdimi i debatit publik me qëllim përmirësimin dhe avancimin e tekstit të ligjit të ardhshëm për punësimin e këtyre qytetarëve. 

Në diskutim, morën pjesë përfaqësues nga disa shoqata për persona me aftësi të kufizuara. Edhe ata, së bashku me autoritetet janë pajtuar se - për të pasur një propozim-ligj gjithëpërfshirës, duhet të pyeten të gjitha palët.

Në këtë drejtim, u theksua edhe qëllimi - që Ligji i ri të sjellë kushte më të mira për punësim, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuara. 

Mes tjerash, një pjesë e diskutuesve theksuan dhe përshëndetën përpjekjen për të eleminuar përdorimin e termave të vjetëruara si "invalid", "person invalidor", "invaliditet", të cilat shumëkush i konsideron fyese. 

Pas vërejtjeve të tjera që diskutuesit i dhanë për propozim-ligjin, veçanërisht u theksua nevoja për pjesëmarrje më të madhe të detyrueshme të personave me aftësi të kufizuara dhe shoqatave të tyre, të cilat do të kryenin edhe mbikëqyrje më të drejtpërdrejtë në proces. Por, edhe nevoja që këta qytetarë të mos presin më gjatë për një Ligj efektiv dhe dinjitoz për punësimin, pasi përshtypja e përgjithshme është se ata tashmë po presin shumë gjatë. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR