• e hënë, 23 dhjetor 2024

Debat në Gostivar: “Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm“

Debat në Gostivar: “Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm“

Gostivar, 9 shkurt 2023 (MIA) - Sektori për Arsim pranë Komunës së Gostivarit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, sot organizuan dialogun social me moton “Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm“, që për qëllim ka rritjen e numrit të paraleleve për mësim dual në shkollat e mesme profesionale dhe inkuadrimin e kuadrove profesionale në kompanitë e Gostivarit.

Mësimi dual zhvillohet në tri shkolla të mesme komunale të Gostivarit, theksoi udhëheqësja e sektorit, Aslian Snopçe dhe shtoi se mësimi dual në Gostivar filloi të zbatohet nga viti 2019 përmes bashkëpunimit të shkollës së mesme teknike dhe EVN-së.

"Tendenca është që tregut të punës t’i oforhet kuadër i trajnuar. Vlen të theksohet se për këto tri vite, është rritur interesimi për shkollat profesionale në Gostivar, me çka tregut të punës i ofrohen gjithnjë e më shumë kuadro profesionale. Shpresoj se edhe paralelet e farmacisë vitin e ardhshëm do të kenë vendin e tyre në këtë program", tha Snopçe.

Në këtë aktivitet, morën pjesë nxënës, mësimdhënës dhe drejtues të shkollave të mesme  profeisonale, si dhe kompanitë e përfshira në këtë program.
 
Në këtë ngjarje i pranishëm ishte edhe kryetar i i komunës së Gostivarit, Arben Taravari i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se në shoqërinë e sotme gjithnjë e në zhvillim dhe konkuruese, dituria është fuqi.

“Të kesh aftësitë dhe edukimin e duhur, është thelbësore për sukses. Kemi punuar pandërprerë që fëmijëve tanë t’ju ofrojmë kushtet më të mira në shkollat profesionale dhe të jenë të gatshëm për tregun e punës”, theksoi ndër të tjera kryetari Taravari.

Në debat kishte edhe prezantime për projektin e shkollës ekonomike, medicinale dhe teknike, si dhe firmat partnere në aktivitete.

Fushata e dialogut social “Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm” është mbështetur nga Ambasada e Zvicrës në RMV dhe Odat Ekonomike në vend. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR