Debat konsultativ mes Parlamentit dhe UNICEF-it mbi avancimin e të drejtave të fëmijëve
- Sot Kuvendi i Maqedonisë së Veriut së bashku me UNICEF-in kanë zhvilluar një debat konsultativ mbi gjendjen e fëmijëve dhe adoleshentëve në Maqedoninë e Veriut. Debati ishte i pari me radhë në serinë e debateve të dakorduara me Parlamentin mbi avancimin e mëtejmë të agjendës së të drejtave të fëmijëve.
- Post By Fami Bajrami
- 15:04, 5 maj, 2025
Shkup, 5 maj 2025 (MIA)- Sot Kuvendi i Maqedonisë së Veriut së bashku me UNICEF-in kanë zhvilluar një debat konsultativ mbi gjendjen e fëmijëve dhe adoleshentëve në Maqedoninë e Veriut. Debati ishte i pari me radhë në serinë e debateve të dakorduara me Parlamentin mbi avancimin e mëtejmë të agjendës së të drejtave të fëmijëve.
“Qasja e barabartë në arsim, kujdesi më i madh për politikat shëndetësore dhe mbrojtja nga dhuna dhe diskriminimi duhet të jenë prioritetet tona. Si Kryetar i Kuvendit, do të jem gjithmonë krah çdo iniciative që kontribuon në këtë drejtim. Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritja e investimeve janë thelbësore për të mundësuar përfshirjen e çdo fëmije, pa dallim të sfidave që ata mund të kenë. Kjo është përgjegjësi dhe detyrë e jonë kolektive dhe njerëzore,” tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
“Unë jam e bindur se së bashku do të vazhdojmë të bëjmë përparim në realizimin e të drejtave të fëmijëve - duke miratuar ligje dhe buxhete, duke siguruar mbikëqyrjen e zbatimit të tyre dhe më me rëndësi është se këtë do ta bëjmë përmes udhëheqjes dhe përkushtimit tonë kolektiv. Investimi në të drejtat e fëmijëve nuk duhet të shihet si kosto - por më tepër si një investim për fëmijët e sotëm, të cilët nesër do të jenë e ardhmja e Maqedonisë së Veriut”, tha përfaqësuesja e UNICEF-it, Lesli Miller.
Ajo theksoi se puna e UNICEF-it me Parlament këtu dhe në mbarë botën ka treguar se të drejtat dhe mirëqenia e fëmijëve i bashkon të gjithë deputetët, pavarësisht nga partia e tyre politike. “Parlamentarët mund të jenë kampionë të rëndësishëm për të drejtat e fëmijëve dhe të kenë mundësi unike për ta nxitur një shoqëri më gjithëpërfshirëse, të barabartë dhe më të begatë për të gjithë.”
Diskutimi ishte i drejtua nga Analiza e Situatës (SitAn) mbi statusin e fëmijëve dhe adoleshentëve në Maqedoninë e Veriut, e realizuar nga UNICEF-i në vitin 2024, me qëllim të shqyrtimit të progresit të vendit drejt realizimit të të drejtave të fëmijëve dhe përmbushjes së Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm, duke mos lënë pas asnjë fëmijë. Raporti thekson se pavarësisht progresit të mirë të bërë në disa fusha të të drejtave të fëmijëve, veçanërisht në uljen e vdekshmërisë së foshnjave dhe të fëmijëve, megjithatë ka ngecur progresi në fusha të tjera, ose edhe është përmbysur. Shkalla e lartë e varfërisë së fëmijëve, rezultatet e dobëta të të mësuarit dhe përdorimi i gjerë i disiplinës së dhunshme në shtëpi janë të gjitha sfida të vazhdueshme. Në të njëjtën kohë, janë shfaqur çështje të reja, duke përfshirë ndotjen e ajrit
dhe rreziqet tjera mjedisore, shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve dhe rritjen e bullizmit në internet, gjegjësisht gjuhës e urrejtjes.
Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime mbi përparimin që ka bërë vendi në avancimin e të drejtave të fëmijëve që nga ratifikimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijës në vitin 1993, dhe për fushat kyçe ku nevojiten përpjekje të vazhdueshme, siç theksohet në Vëzhgimet përfundimtare të Komitetit për të drejtat e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut. Këto rekomandime përshkruajnë masat në fushën e koordinimit, mosdiskriminimit, dhunës ndaj fëmijëve, fëmijëve me aftësi të kufizuara, shëndetësisë dhe shërbimeve arsimore.
Në fund të debatit konsultativ deputetët gjithashtu ata ranë dakord të organizojnë sesione tjera të shkurtra informative me komisionet parlamentare përkatëse për të diskutuar mbi fushat përkatëse dhe për ta përafruar më tej legjislacionin nacional me dispozitat e Konventës për të drejtat e fëmijëve.
Foto: Kuvendi/ printskrin nga video