• e hënë, 23 dhjetor 2024

Debat KKBE-MK: Pa të dhëna të besueshme dhe cilësore, nuk mund të sigurohet zbatimi adekuat i reformave të nevojshme për hyrjen në BE

Debat KKBE-MK: Pa të dhëna të besueshme dhe cilësore, nuk mund të sigurohet zbatimi adekuat i reformave të nevojshme për hyrjen në BE

Shkup, 10 shtator 2024 (MIA) - Vendosja e transparencës së detyrueshme të të gjitha institucioneve shtetërore duke publikuar të dhëna në një format të hapur, i cili do të rrisë shkallën e llogaridhënies publike dhe do të lejojë qasje më të madhe deri te informacionet, edukim për menaxhimin e të dhënave në sektorin publik, integrimin e treguesve për sundimin e ligjit dhe kontrollin e korrupsionit në strategjitë shtetërore, si dhe avancimi i portaleve për të dhënat e hapura, janë pjesë e rekomandimeve të sesionit të katërt të Grupit Punues 6 (Kapitulli 5 - Furnizime publike; Kapitulli 18 - Statistikat; Kapitulli 32 - Kontrolli Financiar) në temën "Të dhënat të cilave u besojmë: Parakusht për ekonomi më të fortë dhe luftë efektive kundër korrupsionit", në Konventën Kombëtare për BE-në në Maqedoninë e Veriut (KKBE-MK).

Ekspertët ranë dakord se nëse duam të zvogëlojmë korrupsionin në shtet, puna e institucioneve duhet të jetë plotësisht e dukshme për opinionin. 

Guvernatorja e Bankës Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, Anita Angellovska Bezhovska, theksoi se statistikat cilësore janë baza për politika të qëndrueshme dhe prosperitet të ekonomive.

“Statistikat cilësore, të qëndrueshme dhe me kohë janë parakusht për vendimmarrje cilësore nga sektori publik dhe privat dhe në interes të rritjes më të lartë dhe më gjithëpërfshirëse ekonomike, të bazuar në vlerat demokratike”, tha guvernatorja. 

Ajo shtoi se përmes prizmit të bankave qendrore, statistikat janë baza për zbatimin e mandateve të tyre ligjore - kuptimi i fenomeneve dhe trendeve ekonomike, identifikimi me kohë i rreziqeve dhe ndërmarrja e masave për parandalimin e materializimit të tyre, por edhe vlerësim nëse masat prodhojnë rezultate apo nëse është i nevojshëm rikalibrimi i tyre.

"Kjo është veçanërisht e rëndësishme në periudha të tronditjeve të një natyre dhe madhësie të paparë, kur pritet një reagim i shpejtë dhe i fortë nga Banka Qendrore dhe në kushtet e pasigurisë ekstreme, e cila gjithashtu kërkon eksperimentim", tha Angellovska Bezhovska.

Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) Dejan Stankov bëri të ditur se aktivitet i rëndësishëm që pritet të ndodhë në ESHS dhe Sistemin kombëtar statistikor është vlerësimi partner i zbatimit të Kodit të punës së statistikës evropiane.

"Qëllimi është që të vlerësohet shkalla në të cilën janë harmonizuar institucionet kombëtare statistikore me Kodin e punës së statistikës evropiane. Rekomadimet nga vlerësimi i parë është se sistemi statistikor maqedonas duhet të zhvillohet në përputhje me Sistemin statistikor evropian, rregullativat e BE-së dhe Kodin e punës të statistikës evropiane", tha Stankovi.

Profesori slloven Mojmir Mrak nga Fakulteti Ekonomik në Lubjanë, theksoi se kriteret ekonomike për aderim në BE mbetën të njëjta pas 20 vitesh - vendim duhet të ketë treg të lirë dhe të jetë konkurrent. Theksoi se statistika e mirë është e domosdoshme për analizë cilësore.

"Pa statistikë të mirë nuk do të keni qasje në problemet me të cilat përballeni, për dezinformatat, pa statistikë të mirë nuk mund të merren vendime. Statistika e mirë është parakusht nëse doni të bashkoni agregatet e të dhënave, është bazë për një kornizë të mirë rregullatore dhe është parakusht për qeverisjen normale ekonomike të një shteti që dëshiron të bëhet anëtar i BE-së", tha Mraku.

Maj Erikson Gote, konsulente në bashkëpunimin ndërkombëtar për zhvillim midis statistikave të Suedisë dhe Entit Shtetëror të Statistikës të Maqedonisë së Veriut, theksoi se të dhënat statistikore luajnë rol kryesor në zhvillimin e qëndrueshëm të një shoqërie dhe janë parakushti kryesor për vendimmarrjen politike, ndërsa qytetarët me këtë rast mund të kërkojnë llogaridhënie.

"Të dhënat statistikore duhet të evoluojnë dhe të mbajnë hapin me zhvillimin e shoqërisë. Shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme nuk kanë njohuri për të përditësuar statistikat, tha ajo, duke shtuar se nëse duam të sigurojmë që statistikat kombëtare të jenë të besueshme dhe të përdorshme, duhet të përmbushen disa kritere.

"Pavarësia profesionale - autoritetet statistikore duhet të jenë të pavarura nga zhvillimet e tjera politike ose rregullatore, ato duhet të kenë mjete dhe burime përkatëse me qëllim që t'u përgjigjet kërkesave. Konfidencialiteti i informacionit statistikor është i një rëndësie kyçe dhe siguria e tij duhet të garantohet", tha Erikson Gote.

Koordinatorja kombëtare e KKBE-MK dhe kryetarja e Lëvizjes Evropiane, profesoresha Mileva Gjurovska, theksoi se statistika është bazë për krijimin e politikave efektive dhe transparente në të gjitha fushat.

"Të dhënat për tendencat sociale dhe demografike janë baza për planet ekonomike dhe të gjitha politikat e tjera. Monitorimi i lëvizjeve ekonomike përmes treguesve ekonomikë dhe monetarë është shumë i rëndësishëm për çdo vendim investues. Për vendet kandidate të BE-së, statistikat janë të nevojshme për të vlerësuar përparimin e reformave dhe për të përmbushur kriteret e Agjendës Evropiane", tha ajo. 

Ajo shtoi se Enti Shtetëror i Statistikave, si dhe institucionet e tjera që krijojnë baza të dhënash, tashmë kanë ndërtuar sisteme për mbledhjen dhe publikimin e të dhënave statistikore. "Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet cilësia e të dhënave. Edhe metodologjia më e mirë statistikore e zbatuar vazhdimisht nuk mund të japë rezultate të mira nëse të dhënat që përpunohen nuk janë përfaqësuese ose janë të gabuara", tha Gjurovska. 

Dragan Tevdovski, profesor në Fakultetin Ekonomik në UCM, iu referua rëndësisë së transparencës dhe publikimit të të dhënave. 

"Nëse duam të zvogëlojmë korrupsionin, puna e institucioneve duhet të jetë plotësisht e dukshme për publikun, të gjitha kontratat dhe anekset duhet të jenë të dukshme dhe publike dhe institucionet duhet të kontrollohen, çdo qytetar duhet të ketë në çdo kohë qasje në punën e institucioneve", tha Tevdovski, duke shtuar se arsimimi financiar i popullsisë është gjithashtu i rëndësishëm.

Ai shprehet se duhet të ketë faqe interneti që do të bëjë të mundur kërkimin e të gjitha kompanive, vendore apo të huaja, që marrin para nga shteti, meqë Regjistri Qendror nuk jep informacione të mjaftueshme për të.

Bllagoja Pandovski, kryetar i "Transparensi Interneshenel Maqedoni", tha se në mënyrë që statistikat të jenë të vërteta në tërësi, duhet të përmbajë të gjitha ato të dhëna, respektivisht, duhet të ketë matshmëri 100 për qind të gjërave.

"Kjo ndodh rrallë. Zakonisht, merret një grup i caktuar njerëzish që japin të dhëna, mendimet e të cilëve merren si të tilla, dhe këtu ky proces i nxjerrjes së informacionit në një segment të caktuar mund të shkelet ose korruptohet. Transparensi si një nga organizatat kryesore për luftimin e korrupsionit ka disa mekanizma të mbledhjes së informacioneve dhe del me më shumë informacione në publik që mbulohet mirë nga media dhe ngjall interes të vërtetë kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit", tha Pandovski.  

Foto: MIA; KKBE-MK

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR