• e martë, 27 gusht 2024

Dameva: Komisioni special për Ramadanin është duke punuar intensivisht, raporti pritet sa më shpejt

Dameva: Komisioni special për Ramadanin është duke punuar intensivisht, raporti pritet sa më shpejt

Shkup, 26 gusht 2024 (MIA) - Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, ka informuar se komisioni special për hetimin e rastit të arratisjes nga arresti shtëpiak të ish-pjesëtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, është duke punuar intensivisht dhe siç tha ajo, pritet së shpejti të dalë me një raport. 

Në deklaratë për mediat në pauzë nga seanca e sotme, Dameva tha se posa të konstatohet gjendja faktike, ajo menjëherë do të vendoset në seancë.

"Në këtë moment nuk mund të them sepse është në kuadër të Komisionit, vetëm si kryetar i Këshillit Gjyqësor, në një farë mënyre i siguroj të gjitha kushtet teknike që të sigurohen të dhënat që u duhen për analizë. E gjithë procedura për rastin konkret, për përgjegjësinë e gjyqtarëve e të ngjashme, të mos paragjykojmë, ka afate ligjore. Në këtë rast do të punohet intensivisht dhe shumë urgjentisht, opinioni meriton përgjigje sa më shpejt", tha Dameva.

E pyetur për takimin me kryeministrin Hristijan Mickoski, gjegjësisht a e ka bindur kryeministrin që të mos ketë shpërndarje në këshill, ajo është përgjigjur se, siç tha, këshilli gjyqësor nuk ka kompetenc, gjegjësisht nuk ka ndërhyrë në këtë

"Këshilli Gjyqësor nuk ka kompetencë, unë nuk kam ndërhyrë në këtë. Dhe aty e kam vënë në dukje në takim, e theksoj në çdo moment, se gjyqësori është autonom dhe i pavarur. Ne ishim të obliguar që si këshill të theksojmë se cila është gjendja reale në gjyqësor, cilat janë aktivitetet në të cilat Këshilli Gjyqësor ka punuar intensivisht gjatë muajve të fundit dhe që i ndërmerr në vazhdimësi prej vitesh, si dhe ato aktivitete që do të ndërmarrë intensivisht në periudhën e ardhshme në drejtim të zbatimit të rekomandimeve. Ne theksuam progresin që ka Këshilli Gjyqësor në drejtim të atyre rekomandimeve, që të zbatohen sa më shpejt, sepse ato rekomandime nëse zbatohen, varet kthimi i besimit në gjyqësor", sqaroi Dameva.

Në lidhje me atë se a kanë dakorduar diçka konkrete, ajo është përgjigjur se propozimet e tyre ia dorëzojnë grupit punues që punonte në ndryshimet në ligjin për Këshillin Gjyqësor.

"Përfaqësuesit tanë ishin të pranishëm në vazhdimësi, dhe kjo u inicua nga raporti i dorëzuar i Misionit vlerësues. Të gjitha propozimet janë dorëzuar, por jemi gati edhe në periudhën e ardhshme, nëse propozohet një zgjidhje e re ligjore, me propozimet tona do të marrim pjesë aktivisht në drejtim të hartimit të një ligji solid, i cili nga ajo procedurë, nga të gjitha dispozitat ligjore, më tutje do të nënkuptojë se si do të kthehet dhe a do të kthehet besimi i qytetarëve", shtoi ajo.

Këshilli Gjyqësor në një seancë urgjente para dhjetë ditësh mori vendim për formimin e Komisionit që do të konstatojë gjendjen faktike në lidhje me vendimet e Gjykatës Themelore Penale Shkup, lidhur me rastin e Blerim Ramadanit, i cili u arratis nga arresti shtëpiak përderisa ishte në proces procedura ekstraduese.

Blerim Ramadani, në bazë të fletë-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Interpoli nga Serbia, ishte arrestuar më 17 korrik 2024 në vendkalimin kufitar Jazhincë dhe ishte dërguar në paraburgim ekstradues 30-ditor në burgun e Shutkës. Përmbajtja e urdhër-arrestit bazohet në dyshimet e Serbisë se Ramaddani, si ish-ushtar i UÇK-së, ka kryer kreime të luftës në rajonin e Nerodimes.

Më 1 gusht, masa e Ramadanit nga gjykata kompetente e Maqedonisë së Veriut ishte ndryshuar nga "paraburgim" në "arrest shtëpiak", dhe ai, sipas aktvendimit, ishte dërguar në një adresë në Shkup. Me këtë vendim parashihej që ai të mbetej në "arrest shtëpiak" deri më 16 gusht. Më 15 gusht nga ana e organit kompetent gjyqësor është parashtruar dokumentacion në MPB për shpallje të fletë-arrestit qendror për Blerim Ramadanin, sepse ka qenë i pakapshëm për organet e ndjekjes. ls/

Foto: Printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR