• e hënë, 23 dhjetor 2024

Daçiq: Të mos na mbahen leksione nga anash, tre të katërtat e vendeve të BE-së tani nuk do ta kalonin testin

Daçiq: Të mos na mbahen leksione nga  anash, tre të katërtat e vendeve të BE-së tani nuk do ta kalonin testin

Shkup, 30 nëntor 2023 (MIA) - Kërkoj që të mos na mbahen leksione nga anash, sepse nëse të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian tani duhet të kalojnë atë që ne të gjithë kalojmë këtu për të hyrë në Union, atëherë tre të katërtat e vendeve nuk do ta kalonin testin, tha ministri serb i punëve të jashtme, Ivica Daçiq.

Në fjalimin e sotëm gjatë nënshkrimit të deklaratës për luftën kundër korrupsionit në kuadër të Takimit të 30-të Ministror të OSBE-së në Shkup, ai tha se nuk ka luftë kundër korrupsionit pa polici, gjyqësor dhe prokurori.

"Ajo që më mërzit pak në gjithë këtë është se ne vetë themi se jemi kampionë, por në fakt nuk jemi. Kampionët janë aty ku ka para, ku ka pushtet dhe ndikim, ku korrupsioni zbatohet në formën e ligjit. Marrja e një provizioni në Perëndim është e ligjshme, por këtu është korrupsion. Më vjen keq që ata nuk janë këtu në nënshkrimin e deklaratës, sepse ata duhet të jenë të parët që ta nënshkruajnë atë", tha Daçiq.

Sipas Daçiqit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të bëhet pa veprim të plotë të koordinuar dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

"Jo të gjitha vendet nga rajoni ynë janë këtu. Mendoj se ata janë më shumë në korrupsion se ne. Këtu mund të japim vetëm një mbështetje politike", shtoi Daçiq.

Sipas Daçiqit, asnjë vend nuk mund ta bëjë këtë i vetëm. OSBE-ja, tha ai, duhet të ndihmojë shtetet të përmirësojnë kapacitetet e tyre - kapacitetet për të parandaluar, shtypur, hetuar dhe ndjekur penalisht krimin.

"Duhet të ruajmë bashkëpunimin ndërkombëtar, ekspertizën dhe praktikat më të mira, që nga ana tjetër nënkupton përdorimin e mjeteve të caktuara digjitale, pra avantazhet e fenomeneve të reja teknologjike", shtoi ministri serb i Punëve të Jashtme. sa/

Foto/MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR