• e diel, 22 dhjetor 2024

Dënim nga BE-ja për kërcënimin e Medvedevit ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale

Dënim nga BE-ja për kërcënimin e Medvedevit ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale

Bruksel, 23 mars 2023 (MIA) - Bashkimi Evropian dënon kërcënimin e përfaqësuesit të lartë të Rusisë, Dmitrij Medvedev, për të përdorur forcën kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe Holandës, vendi ku ndodhet ky institucion, tha sot kreu i diplomacisë evropiane, Zhozep Borrell.

Lidhur me deklaratën e zëvendëskryetarit të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitrij Medvedev, se një raketë hipersonike mund të godasë gjykatën në Hagë, Borrell tha se BE-ja "rikonfirmon mbështetjen e saj të plotë" për Gjykatën Ndërkombëtare Penale.

Ai tha se BE-ja dënon gjithashtu masat e shpallura nga Rusia kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale të përfshirë në lëshimin e urdhërarresteve për zyrtarët rusë.

"Çdo masë hakmarrjeje ndaj personave të përfshirë në punën e tij është e papranueshme. Derisa lufton mosndëshkimin, Gjykata Ndërkombëtare Penale duhet të jetë në gjendje të punojë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme", theksoi Borrell.

Ai shtoi se BE-ja "mbetet e përkushtuar për të mbrojtur Gjykatën kundër çdo ndërhyrjeje të jashtme që synon pengimin e drejtësisë dhe minimin e drejtësisë ndërkombëtare penale".

BE-ja do të vazhdojë të mbrojë universalitetin e Statutit të Romës dhe u bën thirrje të gjitha shteteve, të cilat nuk e kanë bërë ende këtë, të konsiderojnë anëtarësimin në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, në mënyrë që të mos ketë më pandëshkueshmëri për krimet më të rënda", ka shkruar Borrell.

Medvedev, ish president rus, tha të hënën se "nuk ishte e pamundur të imagjinohet që një raketë hipersonike të gjuhet në gjykatën në Hagë nga një anije ruse në Detin Verior".

Më herët, më 17 mars, Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë njoftoi se kishte lëshuar një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin me akuzën për krime lufte, për shkak të përfshirjes së tij të mundshme në rrëmbimin e fëmijëve nga Ukraina. Për shkak të akuzave të ngjashme, gjykata me bazë në Hagë lëshoi ​​gjithashtu një urdhër arresti për Maria Alekseevna Lvova-Belova, komisare në Zyrën e Presidentit të Rusisë e obliguar për të drejtat e fëmijëve. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR