• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Cipras: Shumë serioze dhe të rrezikshme do të jenë pasojat nëse BE-ja përjeton dështim në Ballkan

Cipras: Shumë serioze dhe të rrezikshme do të jenë pasojat nëse BE-ja përjeton dështim në Ballkan

Athinë, 10 tetor 2024 (MIA) - Nëse BE-ja përjeton dështim në Ballkan, pasojat për stabilitetin dhe sigurinë e saj do të jenë shumë të rënda dhe shumë të rrezikshme, tha ish-kryeministri grek Aleksis Cipras, duke folur si kryesues i Komisionit të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës për Ballkanin Perëndimor gjatë takimit të sotëm në Beograd, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Cipras hapi punën e Komisionit së bashku me kryetaren e Kuvendit të Serbisë Ana Bërnabiq dhe iu referua perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimit të Unionit.

"Udhëheqja e Bashkimit Evropian duhet ta ketë të qartë se nëse nuk ka sukses në fqinjësinë e saj, atëherë nuk do të ketë kredibilitetin për të qenë një aktor i fortë ndërkombëtar në pjesën tjetër të botës. Dhe më e rëndësishmja, nëse BE-ja dështon në Ballkan, pasojat për stabilitetin dhe sigurinë e saj do të jenë shumë serioze dhe shumë të rrezikshme", vuri në dukje Cipras.

Ai shtoi se të gjithë "e dinë potencialin e madh të rajonit tonë të Ballkanit dhe potencialin e madh të popujve tanë".

Ai theksoi se kjo është hera e parë që Komiteti mblidhet në Ballkanin Perëndimor dhe shprehu shpresën që në të ardhmen takime të tilla të mbahen edhe në kryeqytete të tjera të rajonit.

"Siç e theksova në takimet tona të fundit në Strasburg dhe Paris, shpresoj se do të jemi në gjendje të thërrasim edhe mbledhje të tjera të Komitetit në kryeqytetet e tjera të rajonit.Nëpërmjet kësaj përpjekjeje, Komisioni mund të bëhet realisht një forcë shtytëse në Kuvend për të mbështetur procesin e integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor, duke hapur rrugë të reja për dialogun parlamentar, shtoi Cipras.

Lidhur me situatën aktuale në botë, ai tha se, sipas tij, destabilizimi pjesërisht po përkeqësohet sepse “ne nuk po zhvillojmë një arkitekturë të re të sigurisë, përkatësisht mjete të nevojshme diplomatike dhe iniciativa rajonale, të cilat na duhen për të mbrojtur qytetarët tanë dhe për të siguruar paqe dhe stabilitet në këtë periudhë të re të historisë botërore”.

Theksoi se është e rëndësishme që Evropa të përdorë të gjithë fuqinë e saj diplomatike për paqen në Ukrainë dhe përfundimin e pushtimit, por edhe të ketë një armëpushim në Lindjen e Afërt dhe lirimin e pengjeve. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR