• e diel, 22 dhjetor 2024

CIF miratoi financimin e Planit investues të Maqedonisë së Veriut për tranzicion të përshpejtuar energjetik

CIF miratoi financimin e Planit investues të Maqedonisë së Veriut për tranzicion të përshpejtuar energjetik

Shkup, 20 mars 2024 (MIA) - Fondi klimatik për investime (CIF) miratoi Planin investues për Maqedoninë e Veriut për tranzicion të përshpejtuar energjetik nga thëngjilli në energji të pastër në vlerë prej 85 milionë euro.

Me miratimin e këtyre mjeteve nga CIF, siç thonë nga Ministria e Ekonomisë, sigurohen mjetet e para për zbatimin e Platformës investuese për tranzicion të drejtë të Maqedonisë së Veriut në vlerë prej tre miliardë euro e cila u lansua në COP 28 në Dubai në fundi të vitit të kaluar.

Ministria e Ekonomisë sot para përfaqësuesve të Komitetit të Fondit klimatik për investime, EBRD, Bankës botërore, IFC-së dhe Bankës për zhvillim e prezantoi Planin investues për tranzicion të përshpejtuar në thëngjill në Maqedoninë e Veriut.

"Qeveria e përgatiti Planin investues në bashkëpunim me BERZH, IFC dhe Bankën Botërore të cilat identifikuan fushat potenciale për investime dhe mbështetje për të iniciuar mbylljen dhe ridestinimin e përshpejtuar të termocentraleve dhe minierave të qymyrit, si dhe rritjen e alternativave të energjisë së pastër. Me këtë Plan investimi demonstrojmë angazhimin tonë për të udhëhequr vendin përmes tranzicionit drejt energjisë më të pastër dhe emetimeve të reduktuara të karbonit. Qëllimet nacionale janë ulja e emetimeve të gazrave serrë për neto 82 për qind deri në vitin 2030 në krahasim me nivelet e vitit 1990", tha sekretarja shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë, Razmena Çekiq Duroviq në prezantimin e sotëm të Planit investues në Qeveri.

Ky angazhim, shton ajo, nënvizon angazhimin tonë ndaj parimeve të Marrëveshjes së Parisit dhe paraqet hap të rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më ekologjike.

Gjatë procesit të përgatitjes së Planit të investimeve, vendi, nënvizoi ajo, lansoi Platformën e investimeve për tranzicion të drejtë të energjisë në COP 28.

"Platforma e investimeve përfshin tranzicionin energjetik, përfshirë vendosjen e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe përforcimin e rrjetit, si dhe mbështetjen për masat e tranzicionit të drejtë. Platforma është konform me dokumentet kryesore strategjike të miratuara nga Qeveria, përfshirë kontributet e përcaktuara kombëtare dhe Strategjinë për zhvillimin e energjisë deri në vitin 2040, veçanërisht në drejtim të heqjes së kapaciteteve të termocentraleve me qymyr deri në vitin 2030", ka thënë Çekiq Duroviq.

Financimi CIF të Maqedonisë së Veriut është pjesë e Programit të investimeve të përshpejtuara të tranzicionit të qymyrit prej 2.2 miliardë dollarë, platformë shumëpalëshe e para e këtij lloji që mbështet tranzicionin e lëndëve djegëse fosile drejt energjisë së pastër me financime koncesionare.

Me këtë plan, vendi shpreson të krijojë ekonomi të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse dhe duhet të kursejë mbi 13 milionë tonë emetim CO2 deri në vitin 2038. Deri në vitin 2030, Qeveria planifikon të përshpejtojë mbylljen e 824 megavatëve të prodhimit ekzistues të energjisë elektrike me qymyr në Manastir dhe Osllomej.

Foto: Ministria e Ekonomisë

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR