• e hënë, 23 dhjetor 2024

Caktohet masë kujdesi për Ixhet Memetin

Caktohet masë kujdesi për Ixhet Memetin

Shkup, 23 maj 2024 (MIA) - Me propozim të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjykatësi në procedurë paraprake nga Gjykata Themelore Penale -Shkup sot i ka caktuar masën e kujdesit Ixhet Memetit, personit të dytë të dyshuar në hetimin lidhur me mitmarrjen për ndikim të kundërligjshëm ku është përfshirë edhe gjykatësi suprem, Naqe Georgiev.

I dyshuari, konform vendimit të Gjykatës penale, ka për obligim që herë pas herë të paraqitet në gjykatë, i është marrë pasaporta dhe dokumente tjera për dalje nga kufiri shtetëror dhe ka ndalesë për nxjerrjen e ndonjë dokumenti të ri.

Në deklaratën për media i dyshuari Memeti ka thënë sot para Penales se është në interes të të gjithëve që procedura të përfundojë sa më shpejt. 

"Është në interesin tim dhe të publikut që sa më shpejt autoritetet të përfundojnë punën e tyre. Kjo sigurisht që si njeri më prek, megjithatë nuk është mirë të flas para mediave për një çështje që po zhvillohet në rrugë gjyqësore. Ju siguroj se do të përfundojë shumë shpejt dhe do të dalë se asgjë joligjore nuk kam bërë", tha Memeti.

Për raportet me gjyqtarin suprem Georgiev, ai tha se i njeh të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët dhe me ta shoqërohet, por se nuk ka biseduar për lëndët.

Më herët, Gjykata Themelore Penale i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh gjyqtarit suprem Naqe Georgiev për shkak të ekzistimit të dyshimeve se mund të pengojë procedurën penale duke ndikuar te dëshmitarët dhe rrethanat që çojnë se do ta kryejë apo përsërisë veprën penale.

Dy të dyshuarit janë pjesë e hetimit të hapur nga PTHP për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe dyshohen se kanë marrë “ryshfet për ndikim të paligjshëm”.

Hetimi është hapur pas aksionit të MPB-së i cili vjen pas kallëzimit të djalit të të akuzuarit në lëndën që zhvillohet në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR