• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Bytyqi me kompanitë gjermane: Ofrojmë një mjedis të favorshëm biznesi, avantazhe strategjike dhe mbështetje të fortë nga Qeveria

Bytyqi me kompanitë gjermane: Ofrojmë një mjedis të favorshëm biznesi, avantazhe strategjike dhe mbështetje të fortë nga Qeveria

Shkup, 6 qershor 2023 (MIA) - Zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi , ka zhvilluar një takim me delegacionin e kompanive gjermane me vendqëndrim në Maqedoninë e Veriut, me të cilët ka ndarë mundësitë e biznesit, veçanërisht në aspektin e mbështetjes për investime. 

Në takimin, siç kumtuan nga pres shërbimi i Qeverisë, ai i theksoi faktorët kyç që e bëjnë Maqedoninë e Veriut një destinacion tërheqës për investimet e tyre.

"Maqedonia e Veriut ka një lokacion strategjik, i vendosur në kryqëzimin e korridoreve të transportit pan-evropian VIII dhe X, dhe ofron një lokacion të favorshëm për tërheqjen e zinxhirit të furnizimit në kontinentin evropian të quajtur near-shoring. Duke krijuar prodhim afër qendrave evropiane të konsumit, kompanitë gjermane mund të maksimizojnë efikasitetin dhe efektivitetin e proceseve të tyre të biznesit, tha zëvendëskryeministri Bytyqi.

Mes tjerash, ai i informoi kompanitë gjermane se Maqedonia e Veriut është nënshkruese e konventave shumëpalëshe dhe ka lidhur marrëveshje të shumta dypalëshe për mbrojtje të investimeve, që për investitorët e huaj nënkupton mbrojtje përmes institucioneve si Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investuese (ICSID).

Zëvendëskryeministri Bytyqi iu referua mbështetjes financiare të Qeverisë, e cila në radhë të parë është e parashikueshme dhe se të gjitha procedurat janë transparente për të krijuar kushte të barabarta si për investitorët vendor ashtu edhe për ata të huaj.

"Mbështetja është dizajnuar për të arritur disa qëllime, duke përfshirë krijimin e vendeve më të paguara të punës, nxitjen e bashkëpunimit midis kompanive dhe promovimin e zhvillimit teknologjik dhe inovacionit," tha Bytyqi, i cili gjithashtu prezantoi kompanitë gjermane me asistentin digjital të sektorit publik, ADA, i pari në rajon dhe më gjerë i bazuar në inteligjencën artificiale i cili është në dispozicion të kompanive për të marrë informacion të plotë për kushtet për të investuar në vendin tonë dhe për ndihmën shtetërore që ofrohet për investime, pavarësisht nëse janë kompani vendore apo të huaja.

Zëvendëskryeministri Bytyqi përfundoi duke thënë se Maqedonia e Veriut është e gatshme të mirëpresë dhe të mbështesë kompanitë gjermane në përpjekjet e tyre për rritje dhe sukses dhe se vendi ofron një mjedis të favorshëm biznesi, avantazhe strategjike dhe mbështetje të fortë qeveritare.

“Së bashku, le të krijojmë partneritete të forta dhe të zhbllokojmë potencialin e madh që qëndron në bashkëpunimin tonë”, përfundoi Bytyqi.

Kreu i delegacionit gjerman, Hans-Joakim Baumler, nga kompania konsulente Integra, falënderoi zëvendëskryeministrin Bytyqi për pritjen dhe vëmendjen që ka treguar gjithmonë.

Ai theksoi se suksesi i kompanive gjermane që operojnë në Maqedoninë e Veriut paraqet një motiv të fortë që kompanitë e tjera të ndjekin shembullin e tyre dhe të investojnë në vend, gjë që, sipas tij, ofron një klimë të mirë biznesi për zhvillimin e mëtejshëm të tregtisë ndërmjet Gjermanisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, Gjermania është një partner jashtëzakonisht i rëndësishëm ekonomik dhe tregu kryesor eksportues i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Më shumë se 200 kompani me kapital gjerman punojnë në Maqedoninë e Veriut, duke punësuar rreth 20.000 njerëz. bsh/

Foto: Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut

QËNDRONI TË LIDHUR