• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Bytyqi dhe Despotovski në Frankfurt, do të nënshkruhet marrëveshje për investim të BMZ në Maqedoninë e Veriut

Bytyqi dhe Despotovski në Frankfurt, do të nënshkruhet marrëveshje për investim të BMZ në Maqedoninë e Veriut

Shkup, 3 shtator 2023 (MIA) - Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi dhe drejtori i Drejtorisë së Zonave Zhvillimore Teknologjike Industriale (ZZHTI), Jovan Despotovski sot shkojnë për vizitë në Frankfurt, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për investim të kompanisë gjermane për sisteme të avancuara të baterive BMZ në Maqedoninë e Veriut. 

Marrëveshja do të nënshkruhet nesër në selinë e kompanisë nga drejtori ekzekutiv dhe themelues i BMZ, Sven Bauer dhe nga drejtori i Drejtorisë së ZZHTI Despotovski, në praninë e zëvendëskryeministrit Bytyqi she Jelica Ivanovska, menaxhere e përgjithshme e BMZ Maqedoni. 

Antje Vandelt, drejtoreshë e AHK Maqedonia e Veriut, pjesë e rrjetit të odave ekonomike gjermane, njoftoi në maj të këtij viti se një kompani për sisteme të avancuara të baterive do të jetë investimi i radhës gjerman në vend, duke informuar se do të fillojë si braunfilld në një objekt ekzistues, pas çka do të investojë në një kapacitet të ri.

"Ajo është një kompani që prodhon bateri për motoçikleta, trotinetë dhe produkte të tjera më të vogla industriale. Duke qenë se janë me nxitim dhe duan të fillojnë sa më shpejt prodhimin, investimi do të jetë braunfilld, që do të thotë se do të marrin përsipër një kompani ekzistuese që ka një objekt të gatshëm dhe më pas do të shkojnë në investime grinfilld", njoftoi Vandelt.

Bytyqi dhe Despotovski në Frankfurt do të marrin pjesë në tryezën e rrumbullakët me biznesmenë gjermanë para të cilëve do ta prezantojnë potencialin investues të Maqedonisë së Veriut. 

Sipas hulumtimit për klimën afariste të Delegacionit të Ekonomisë Gjermane në Maqedoninë e Veriut (AHK) dhe Shoqatës së Biznesit Maqedono-Gjerman, të publikuar në qershor të këtij viti, 80 për qind e investitorëve ekzistues gjermanë do të investonin sërish në këtë vend.

Në anketën e bërë në shkurt dhe mars të këtij viti me pjesëmarrje të 45 nga gjithsej 150 anëtare të shoqatës, 80 për qind e të anketuarve kanë theksuar se duan ta zgjerojnë investimin, si dhe ta rrisin numrin e vendeve të punës në shtet. 

Gjermania është partneri i parë nga pesë partnerët tregtarë të Maqedonisë së Veriut sipas vëllimit të përgjithshëm të shkëmbimit të jashtëm tregtar. Shkëmbimi vitin e kaluar arriti 4,8 miliardë euro. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR