Burg të përjetshëm për Palevskin, Manevin, Videvskin dhe Keshishevin, babai i Vanjës lirohet nga akuza, vijojnë ankesat nga të dyja palët
- Burg i përjetshëm për Ljupço Palevski, Velibor Manev, Bore Videvski dhe Vllatko Keshishev u shqiptua sot për vrasjen e 14-të vjeçares Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovski. Aleksandar Gjorçevski, babai i Vanjës, i cili ishte akuzuar se ka dhënë informata për lëvizjen e vajzës së tij, është liruar nga akuza. Prokuroria njoftoi ankesa për këtë vendim, ndërsa mbrojtja e të dënuarve njoftoi ankesa për dënimet me burg të përjetshëm.
- Post By Sara Ademi
- 15:51, 25 qershor, 2025
Shkup, 25 qershor 2025 (MIA) - Burg i përjetshëm për Ljupço Palevski, Velibor Manev, Bore Videvski dhe Vllatko Keshishev u shqiptua sot për vrasjen e 14-të vjeçares Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovski. Aleksandar Gjorçevski, babai i Vanjës, i cili ishte akuzuar se ka dhënë informata për lëvizjen e vajzës së tij, është liruar nga akuza. Prokuroria njoftoi ankesa për këtë vendim, ndërsa mbrojtja e të dënuarve njoftoi ankesa për dënimet me burg të përjetshëm.
Gjyqtari Ivica Stefanovski gjatë shpalljes së gjykimit sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup tha se të akuzuarit janë fajtorë për grabitje dhe vrasje, të kryera me marrëveshje paraprake dhe motiv shfrytëzues.
Në fillim të shpalljes së gjykimit tha se të akuzuarit janë fajtorë sepse në marrëveshje paraprake dhe së bashku kanë kryer grabitjen e Vanja Gjorçevskës, me qëllim që ndonjë anëtar tjetër të familjes së saj më të ngushtë ta detyrojnë të bëjë diçka, të japë mjete në para si shpërblim për ta liruar fëmijën. Gjithë, kjo, siç plotësoi gjyqtari, ishte me një plan të menduar paraprakisht dhe instruksione të dhëna nga Ljupço Palevski.
Në Veles, gjithashtu, pas marrëveshjes paraprake, nga lakmia dhe në mënyrë mizore me paramendim privuan nga liria Pançe Zhezhovskin me qëllim që të përfitonin nga marrja e makinës së tij për ta shfrytëzuar për grabitjen e Vanja Gjorçevskës.
"Gjykata të akuzuarve Velibor Manev, Bore Videvski, Vlatko Keshishev dhe Ljupço Palevski për veprën penale grabitje u caktoi dënim me burg nga 10 vjet, ndërsa për veprat penale vrasje, secilit nga të akuzuarit individualisht u caktoi burg të përjetshëm, me të cilën konfirmohet dënimi i vetëm me burg të përjetshëm. Aleksandar Gjorçevski lirohet nga akuza sepse Prokuroria Publike nuk vërtetoi përtej çdo dyshimi se e ka kryer veprën", tha gjyqtari.
Sipas vendimit, të pandehurit akuzohen vetëm për grabitjen e Vanjës, ndërsa grabitja e Pançe Zhezhovskit, sipas dënimit të shqiptuar, nuk është dëshmuar.
Prokurorja Zhaklina Trajkovska në një deklaratë për mediat pas gjykimit përshëndeti vendimin për katër të akuzuarit, duke e vlerësuar si fitore të drejtësisë.

"Dënimet e shqiptuara me burg të përjetshëm janë dëshmi se asnjë kryes nuk mund të mbetet i pazbuluar për kryerje të veprave të këtilla monstruoze. Se edhe krahas planifimimit deri në hollësi të vrasjes edhe të Vanja Gjorçevskës, edhe të Pançe Zhezhovskit, të akuzuarit janë zbuluar dhe e morën dënimin e merituar. Kjo është dëshmi se drejtësia megjithatë del në sipërfaqe", tha ajo.
Prokurorja Ana Stojkoviq, shtoi se sistemi ka dërguar porosi të qartë se vepra të këtilla nuk do të tolerohen.
"Familjet e viktimave gjithsesi nuk do të ishin të kënaqura me asnjë aktvendim duke pasur parasysh atë që kanë humbur. Megjithatë, duke pasur parasysh faktin se sot për katër të akuzuar është shqiptuar dënimi më i lartë me burg që në pajtim me legjislaturën e vendit mund të shqiptohet, konsideroj se sistemi me të drejtë dërgoi porosi se veprimet e këtilla nuk do të tolerohen dhe do të dënohen më se ashpër", tha ajo.
Lidhur me aktvendimin lirues për Aleksandar GJorçevskin, Stojkoviq paralajmëroi ankesë.
Mbrojtja e të dënuarve, ndërkaq, reagoi ashpër. Avokati Jovica Strashevski, mbrojtës i Ljupço Palevskit, deklaroi se aktvendimi nuk bazohet në dëshmi.
Ndërkaq, lidhur me personin e arrestuar nga Banka popullore për të cilin i akuzuari Velibor Manev në fjalët përmbyllëse tha se e ka shkatërruar çantën e kaltër me armë, ajo tha se është hapur lëndë e re e cila nuk ndikon ndaj kësaj procedure.
Avokat Bojan Manev, i cili e mbron Bore Videvskin, gjithashtu paralajmëroi ankesë.
"Gjithsesi se do të parashtrojmë ankesë ndaj aktvendimit të sotëm. Nëse e dëgjoni shpalljen e aktvendimit, sigurisht dëgjuat dy fakte të parëndësishme. Gjykata i liron të akuzuarit për grabitje të Pançe Zhezhovskit. Si e vranë, ndërkaq që nuk e grabitën? Puna e dytë - gjykata thotë se njeriu është vrarë në orën 10:30. E tërë maqedonia e pa xhirimin - 12:30 njeriu është gjallë në pompën e benzinës Lukoill në Veles", tha ai.
Igor Efremov, mbrojtës i Vllatko keshishovit, konsideron se Gjykata nuk i ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese.
"Konsiderojmë se Gjykata nuk e besoi mjaftueshëm dëshminë e Keshishovit se ka vepruar nën ndikimin e frikës dhe me urdhër të të akuzuarit Palevski. Nëse nuk do të ishte Keshishov, nuk do të ishin gjetur trupat", theksoi ai.
Avokati i Aleksandar Gjorçevskit, Vlladimir Tufegxhiq, e përshëndeti aktvendimin lirues, por e kritikoi hetimin.

"Sot gjykata mori një vendim ligjor. Megjithatë, ky vendim në thelb është i zbrazët, sepse nuk morëm përgjigje për pyetjet kyçe - pse u rrëmbye dhe u vra ky fëmijë, pse me çdo kusht u insistua që Aleksandar të jetë pjesë e këtij procesi, edhe pse që nga momenti i parë dihej se nuk kishte asnjë provë kundër tij", tha ai.
Ai theksoi se opinioni ka të drejtë të dijë nëse përfshirja e Gjorçevskit ishte një përpjekje për defokusimin nga ajo që duhej të ishte objekt i hetimit, gjegjësisht pse institucionet dhe personat përgjegjës nuk e kanë parandaluar dhe as parashikuar një plan serioz kriminal për rrëmbimin e njerëzve, që të akuzuarit e kishin përgatitur që nga viti 2022, në përputhje me deklaratën e të akuzuarit Velibor Manev.
Pas shpalljes së aktgjykimit, Prokuroria kërkoi nga gjykata që masa e paraburgimit të vazhdojë deri në fuqizimin e vendimit për katër të dënuarit me burgim të përjetshëm, ndërsa të ndërpritet për babain e Vanjës. Më pas, gjykata vendsoi që paraburgimi për të dënuarit të vazhdojë deri në fuqizimin e aktgjykimit, ndërsa arresti shtëpiak për Gjorçevskin u shfuqizua.
Procesi gjyqësor u zhvillua përmes 35 seancave, duke filluar që nga 20 shtatori i vitit 2024.
Të akuzuarit në fillim të procesit deklaruan se nuk ndjehen fajtorë.
E mitura Vanja dhe banori nga Velesi, Pançe u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ndërsa më 3 dhjetor të vitit 2023 u gjetën të vdekur në afërsit të Shkupit dhe Velesit. sa/qa/ab/