Bujar Osmani: Kur i thashë Mexhitit se nuk është mirë me ndërtesën “Titanik”, më tha: bëje më mirë kur të bëhesh kryetar komune
- Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në një intervistë për TV Shenja theksoi se që në vitin 2012, kur publikisht e kishte kritikuar ndërtimin e të ashtuquajturës ndërtesë “Titanik” në “Seravë”, nga atëherë kryetari i komunës, e tani kundërkandidati i tij, Izet Mexhiti nga VLEN, kishte marrë përgjigjen: “Kur të bëhesh ti kryetar komune, bëje ndryshe”, thuhet në kumtesën e AKI-së, të cilën MIA e publikon në formë integrale
- Post By Arta Bunjaku
- 21:26, 16 tetor, 2025
Shkup, 16 tetor 2025
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në një intervistë për TV Shenja theksoi se që në vitin 2012, kur publikisht e kishte kritikuar ndërtimin e të ashtuquajturës ndërtesë “Titanik” në “Seravë”, nga atëherë kryetari i komunës, e tani kundërkandidati i tij, Izet Mexhiti nga VLEN, kishte marrë përgjigjen: “Kur të bëhesh ti kryetar komune, bëje ndryshe”, thuhet në kumtesën e AKI-së, të cilën MIA e publikon në formë integrale
“Në vitin 2012, kur në Seravë u ndërtua ajo karikaturë prej ndërtese, ai ‘Titanik’ që në një mënyrë është pasqyra e një udhëheqësie të korruptuar, i thashë kundërkandidatit tim të tanishëm: ‘Kjo punë nuk është e mirë.’ Ai më tha: ‘Kur të bëhesh ti kryetar komune, bëje ndryshe’,” deklaroi Osmani në intervistën për TV Shenja.
Osmani kujtoi se pikërisht për shkak të një qeverisjeje të tillë, në vitin 2016 qytetarët dërguan një mesazh të qartë pakënaqësie.
“Atëherë dolëm si partia e tretë në Çair. Ky ishte rezultat i revoltës së qytetarëve ndaj mënyrës së qeverisjes në komunë. Madje edhe LSDM ishte para nesh, ashtu si edhe një parti e sapoformuar,” tha ai.
Sipas Osmanit, në vend të ndryshimit, ka vazhduar e njëjta politikë dhe të njëjtët njerëz, gjë që ka çuar në një ndarje përfundimtare të qëndrimeve politike.
“Nuk mund të them se sot po flas për herë të parë për këtë. Këtë e kam thënë edhe atëherë. Secili ka përgjegjësinë e vet,” theksoi Osmani.
Ai sqaroi se në atë periudhë kishte detyra konkrete në të cilat ishte i përqendruar.
“Në atë periudhë kisha detyra konkrete: ta bëj shtetin anëtar të NATO-s, t’i fillojmë negociatat me Bashkimin Evropian, ta zyrtarizoj gjuhën shqipe dhe të realizoj projekte në Qeveri, kur i koordinoja proceset. Unë isha në Bruksel dhe Uashington për t’i përmbushur ato detyra,” tha Osmani.
Ai theksoi se sot, kur sërish përballen me të njëjtat probleme në Çair, qytetarët kanë mundësinë që më 19 tetor më në fund të zgjedhin ndryshimin e vërtetë dhe t’i japin fund modelit 20-vjeçar të qeverisjes që e ka sjellë komunën në kolaps.
AKI
Foto: AKI