Bujar Osmani: Komuna është shndërruar në seli partie, mbledhjet partiake mbahen në këshillin komunal
- Komuna e Çairit sot është shndërruar në seli partie. Këtë e deklaroi kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në intervistën për TV Shenja, duke akuzuar se institucionet e komunës janë uzurpuar dhe vënë në shërbim të interesave të ngushta partiake, thuhet në kumtesën e AKI-së, të cilën MIA e publikon në formë integrale.
- Post By Arta Bunjaku
- 21:28, 16 tetor, 2025
Shkup, 16 tetor 2025
Komuna e Çairit sot është shndërruar në seli partie. Këtë e deklaroi kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në intervistën për TV Shenja, duke akuzuar se institucionet e komunës janë uzurpuar dhe vënë në shërbim të interesave të ngushta partiake, thuhet në kumtesën e AKI-së, të cilën MIA e publikon në formë integrale.
“A e dini se mbledhjet e degëve dhe nëndegëve të partisë së re mbahen në Këshillin Komunal?
E për të kryer një shërbim të zakonshëm në komunë, duhet të shkoni në një restorant në Butel, të takoni disa persona atje, e vetëm pas kësaj ta merrni dokumentin”, tha Osmani, duke shtuar se ky është një shembull i qartë i keqpërdorimit të institucioneve dhe i një pushteti lokal jofunksional.
Ai theksoi se Çairi sot nuk funksionon si komunë e qytetarëve, por si “zgjatim i një klike dhe instrument për përfitime personale e partiake”.
“Tani Çairi është në duart e një grupi të vogël njerëzish dhe u shërben vetëm atyre. Është krijuar një oligarki që është pasuruar me miliona në kurriz të qytetarëve”, theksoi Osmani.
Ai paralajmëroi se menjëherë pas marrjes së detyrës si kryetar komune do të ndërmarrë ndryshime të thella institucionale dhe kadrovike për profesionalizimin e administratës komunale.
“Dua me ‘gërshërët e kirurgut’ t’i pres rrënjët që po e mbytin komunën dhe t’ia kthejmë atë qytetarëve”, theksoi Osmani.
Ai kujtoi se gjatë gjithë karrierës së tij politike gjithmonë ka sjellë rezultate, madje edhe për çështjet më të vështira në nivel shtetëror, dhe se në të njëjtën mënyrë do të punojë edhe për komunën dhe interesat e qytetarëve.
AKI
Foto: AKI