• e hënë, 23 dhjetor 2024

Bubevski: Për tenderin për mbikëqyrjen e "Behtel dhe Enka" pas zërave mund të veprojë PTHP NKOK

Bubevski: Për tenderin për mbikëqyrjen e

Shkup, 11 mars 2023 (MIA) - Prokuroria Themelore Publike në Shkup, sipas ligjit, nuk mund të veprojë për lëndë për furnizime publike, por atë kompetencë e ka PTHP për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, tha shefi i Prokurorisë Themelore Publike (PTHP) Shkup, Gavril Bubevski.

I pyetur në lidhje me rastin me furnizimin publik për zgjedhjen e konsulentit, gjegjësisht mbikëqyrje të ndërtimit të autostradave nga korridoret 8 dhe 10d të cilët do t'i ndërtojë konsorciumi amerikan-turk "Behtel dhe Enka", në emisionin "360 gradë" në TV Alsat dhe konkretisht për instrumentin "pas zërave", i cili shumë shpesh përmendet në publik, Bubevski sqaron se ai është një nga tre instrumentet të cilët prokurorët i kanë në dispozicion për të filluar procedurë, por edhe se ai përdoret vetëm nëse institucionet më parë kanë dështuar.

"Instrumentin pas zërave në PTHP Shkup e përdorim në situatë kur shohim se institucionet paraprakisht nuk kanë arritur ta zbulojnë veprën penale dhe vetëm në atë rast prokuroria publike fillon të veprojë pas zërave. Nëse institucionet e tjera që kanë funksion zbulues punojnë me rastin dhe arrijnë në njohuritë e duhura, do të përpilojnë kallëzim penal dhe pastaj do të veprojmë sipas tij", tha Bubevski.

Lidhur me vrasjen e dyfishtë që ndodhi në fillim të kësaj jave në një lokal në Çarshinë e Vjetër, Bubevski tha se për momentin informacionet që kanë janë ato që i di publiku dhe se hetimi paraprak i PTHP-së nuk mund të kthehet në hetim përderisa nuk dihet identiteti i vrasësve. Për momentin, tha ai, nuk mund të thotë asgjë për motivet e vrasjes, përveç se siç thotë ai, duket qartë se bëhet fjalë për pozita në tregun e drogës.

“Nëse do të mësonim se kush janë autorët dhe kush janë eventualisht nxitësit e këtij krimi, në atë rast hetimi tashmë hapet dhe vazhdon procedura formale, e cila ka rregullat e saja të veçanta të procedurës”, tha ai dhe shtoi se pasi automjeti është djegur, nuk ka më informacione, pasi ajo pjesë nuk është e mbuluar me video adekuate.

Ai njoftoi se rreth 50 gëzhoja janë gjetur rreth trupave të dy të vrarëve, por sa prej tyre kanë përfunduar në trupat e tyre duhet të konfirmojë raporti i mjekësisë ligjore të cilin ende nuk e ka marrë.

"Dihet saktë sa plagë ka në trupat e të vrarëve, por edhe unë ende nuk e kam atë informacion, nuk e kam raportin nga mjekësia ligjore, por rreth trupave të të vrarëve janë gjetur 40 deri në 50 gëzhoja. Shumica e plumbave kanë përfunduar në trupin e tyre, gjegjësisht shumë pak kanë përfunduar jashtë”, deklaroi Bubevski në emision.

Vrasja është bërë të hënën, natën, kur disa persona të maskuar kishin hyrë në lokalin "Shisha bar" në Çarshinë e Vjetër dhe i kishin ekzekutuar Jeton Krivanjevën dhe Enes Isenin. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR