• e premte, 05 dhjetor 2025

Bozhinovska: Po mbrojmë rubinin maqedonas – është koha të promovojmë magjinë e pasurisë sonë minerale

Bozhinovska: Po mbrojmë rubinin maqedonas – është koha të promovojmë magjinë e pasurisë sonë minerale

Shkup, 14 korrik 2025 (MIA)- Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska vizitoi galerinë e vogël "Otkritie" në Shkup e cila nën udhëheqjen e një organizate joqeveritare i përkushtohet ruajtjes, dokumentimit dhe promovimit të trashëgimisë së pasur minerale të Republikës së Maqedonisë.

Gjatë vizitës, ministrja Bozhinovska theksoi se rubini maqedonas, unik në origjinën dhe vetitë e tij, meriton mbrojtje institucionale dhe njohje si thesar kombëtar. Ajo vuri në dukje se është koha jo vetëm që entuziastët, individët dhe organizatat jo qeveritare- të promovojnë këtë perlë unike, por edhe që institucionet shtetërore të përfshihen në mënyrë aktive. Ministria tashmë po punon për koordinimin e të gjitha institucioneve përkatëse – së bashku me Institutin Gjeologjik të Maqedonisë – në mënyrë që rubini maqedonas të marrë statusin zyrtar të trashëgimisë minerale kombëtare të mbrojtur.

Vizita u pasurua nga prania e ambasadorit të Republikës së Francës, Kristof Le Rigoler, si dhe Gregoar Egorof, përfaqësues i Muzeut kombëtar të shkencave të natyrës në Paris. Egorof solli në galeri ekzemplarë të rrallë gurësh dhe mineralesh nga Franca – duke përfshirë gurin e përdorur për ndërtimin e Katedrales, Notre Dam dhe Pallatin e Eliseut – dhe si autor i një libri mbi mineralet e Evropës, njoftoi se po konsideronte përfshirjen e rubinit maqedonas në botimin e ardhshëm.

Në ngjarje mori pjesë edhe drejtori i Shërbimit gjeologjik, Ivica Andov i cili i dha mbështetje eksperte nismës dhe theksoi vlerën shkencore të rubinit.

QËNDRONI TË LIDHUR