• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Bozhinovska: Për kohë të shpejtë do të zgjidhet metoda për ndërtimin e hidrocentralit Çebren

Bozhinovska: Për kohë të shpejtë do të zgjidhet metoda për ndërtimin e hidrocentralit Çebren

Shkup, 16 maj 2025 (MIA) – Në periudhë sa më të shkurtë kohore do të dimë saktë se cilën metodë do ta zbatojmë gjatë ndërtimit të hidrocentralit Çebren, por gjithsesi duam të jetë projekt shtetëror i Maqedonisë së Veriut, theksoi sot ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska. 

“Më së miri është ta ndërtojmë vetë si shtet, por bëhet fjalë për projekt i cili do të kushtojë të paktën një miliard euro që nuk është nivel i vogël duke e ditur se çfarë Buxheti kishim”, tha Bozhinovska në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve para fillimit të Samitit Kombëtar për Infrastrukturë Digjitale Energjetike dhe të Sigurisë Kritike. 

Theksoi se qysh në dhjetor është formuar grup pune për Çebrenin nën koordinim të Ministrisë e cila tashmë kishte disa takime. 

“Projektet për Çebren që janë në EMV datojnë që nga viti 1962 dhe deri më tani ka pasur 14 tenderë të pasuksesshëm. Këtë herë duam të bëjmë gjithçka siç duhet. Po shqyrtojmë nëse do të jetë Çebren me Galishtë, sa metra do të jetë diga dhe jemi drejt fundit të llogaritjeve se sa do të kushtojë”, shpjegoi Bozhinovska.

Për Ligjin e ri për energjetikë, që ishte votuar këtë javë në Kuvend, tha se pritet të nënshkruhet nga presidentja dhe të hyjë në fuqi, duke potencuar se është me rëndësi që është bërë hapi i parë dhe është miratuar ligji. 

“Ne kemi filluar tashmë të punojmë për disa nga gjërat që parashikohen në Ligj, siç është varfëria energjetike, për të cilën metodologjia është duke u zhvilluar tashmë. Disa kompani tashmë po shqyrtojnë mundësitë për ndërtimin e baterive për të ruajtur energjinë elektrike të prodhuar nga burime të rinovueshme. Kjo do të thotë që disa gjëra kanë filluar tashmë, por është një proces. Disa gjëra do të jenë të shpejta dhe disa të tjera do të jenë më të ngadalta sepse do të duhet të hartohen edhe akte nënligjore”, vlerësoi Bozhinovska. fc/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR