Bozhinovska: Integrimi i tregut të Maqedonisë në tregun evropian të energjisë elektrike është qëllimi ynë strategjik
- – Është mirë të dëgjohet se Bashkimi Evropian është optimist kur bëhet fjalë për vendet e Ballkanit Perëndimor, porositi ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska në fjalimin në Forumin e Dytë për Integrim në Tregun e Energjisë Elektrike (EMIF), i cili sot pasdite u mbajt në Parlamentin Evropian në Bruksel.
- Post By Fitore Curri
- 21:32, 20 maj, 2025
Bruksel, 20 maj 2025 (MIA) – Është mirë të dëgjohet se Bashkimi Evropian është optimist kur bëhet fjalë për vendet e Ballkanit Perëndimor, porositi ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska në fjalimin në Forumin e Dytë për Integrim në Tregun e Energjisë Elektrike (EMIF), i cili sot pasdite u mbajt në Parlamentin Evropian në Bruksel.
“Integrimi i tregut të organizuar të energjisë elektrike të Maqedonisë në Tregun e Përbashkët Evropian është me rëndësi strategjike për vendin. Ministria mbështet plotësisht procesin e zbatuar nga Operatori Kombëtar i Tregut të Energjisë Elektrike - MEMO. Bëhet fjalëpër një investim serioz - rritje e likuiditetit të tregut, çmime më konkurruese dhe siguri më e madhe e furnizimit, gjë që ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin dhe parashikueshmërinë ekonomike”, theksoi Bozhinovska në panelin "Zgjerimi i tregut të vetëm evropian të energjisë nlektrike në vitin 2026?".
Ajo theksoi se procesi i lidhjes së tregut të vendit filloi qysh në vitin 2017 me lidhjen e Memorandumit për mirëkuptim për lidhje energjetike me Shqipërinë, Greqinë dhe Kosovën, ndërsa pastaj edhe me Bullgarinë, që tani të punojë në harmonizimin e legjislacionit kombëtar me atë të BE-së dhe në zbatimin e planit për lidhje të tregjeve nën kompetencë të Agjencisë së Bashkimit Evropian për bashkëpunim të rregullatorëve për energji.

Në kontekst të vizionit të ri energjetik të vendit, Bozhinovska informoi se javën e kaluar Kuvendi e miratoi Ligjin e ri për energjetikë, të harmonizuar me legjislacionin e BE-së me çka vendosen themelet për sistem energjetik bashkëkohor, të pastër dhe korrekt.
“Krijimi i Ministrisë së veçantë të Energjetikës, si dhe Ligji i ri, janë dëshmi e seriozitetit me të cilin i qasemi sektorit. Ligji do të thotë më shumë burime të rinovueshme, humbje të reduktuara, treg të hapur dhe rol më të madh për qytetarët, si prodhues dhe konsumatorë të energjisë”, shtoi ministrja.
Bozhinovska vlerësoi se integrimi me tregun evropian mund të ofrojë mbrojtje nga efektet financiare të Mekanizmit të BE-së për rregullim të kufizimeve të karbonit (CVAM), që do të nënkuptonte përfitim të madh ekonomik për kompanitë e Maqedonisë.
“Për shkak të pasigurive që rrethojnë ndikimin e CVAM-it, ishte e domosdoshme që ndërlidhja e tregjeve të ndodhte para vitit 2026. Edhe pse jemi tashmë jashtë këtij afati kohor, është realiste të përpiqemi për një lidhje midis tremujorit të katërt të vitit 2026 dhe tremujorit të parë të vitit 2027”, tha Bozhinovska.

Ajo bëri thirrje për bashkëpunim të përforcuar ndërmjet BE-së dhe vendeve kandidate për anëtarësim të përshpejtimit të lidhjes në treg, sepse, siç tha, përfitimet nga ajo janë të përbashkëta, duke filluar nga siguria energjetike, e deri në nxitjen e rritjes ekonomike.
“Vetëm me bashkëpunim të përforcuar mund të ndërtojmë sistem elektro-energjetik evropian, të qëndrueshëm dhe të integruar i cili do tu sjellë dobi të gjithëve”, potencoi Bozhinovska.
Në Forumin EMIF mori pjesë edhe një delegacion i MEMO bashkë me qindra përfaqësues të bursave energjetike dhe rregullatorëve nga BE-ja dhe nga vendet kandidate për anëtarësim në Union, eurodeputetë dhe përfaqësues të Komisionit Evropian.
Në tubim ishte theksuar se integrimi në tregjet e energjisë elektrike do të kontribuojë për çlirimin e varësisë energjetike të Evropës nga palët e treta, për çka si shembuj pozitivë ishin theksuar bashkëpunimi mes vendit, Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë, mes Malit të Zi dhe Italisë dhe mes Serbisë dhe Hungarisë.

Disa nga pjesëmarrësit në EMIF theksuan gjithashtu se lidhja e tregjeve të energjisë elektrike do të rezultojë në uljen e çmimeve të energjisë elektrike, kryesisht në Evropën Lindore, ku ato janë dukshëm më të larta krahasuar me ato në vendet e Evropës Veriore, si dhe do të shmangë dështimet e sistemit dhe ndërprerjet në furnizimin me energji elektrike, siç ishte rasti i fundit në Portugali dhe Spanjë.
Diskutuesit vlerësuan gjithashtu se lidhja elektro- energjetike për vendet kandidate për anëtarësim me tregun e BE-së do të përfaqësojë edhe një sinjal politik për to, sepse do të arrijë një hap përpara në afrimin e tyre me Bashkimin dhe gjithashtu do t'i japë shtysë procesit të zgjerimit. Prandaj, sipas diskutuesve, nuk do të ketë integrim të plotë të këtyre vendeve në BE derisa të përfundojë lidhja e tyre me tregun e energjisë elektrike të Unionit.
Organizatorë të Forumit ishin Bursa Alpine – Adriatik – Danub për Energji Elektrike (ADEKS), e cila është bursa e parë rajonale për energji elektrike në Evropën Qendrore dhe Juglindore, pastaj Asociacioni i Bursave Evropiane Energjetike (Evropeks), si dhe Partia Popullore Evropiane (EPP).
EMIF është menduar si platformë e vetme për nxitjen e perspektivës politike për integrim të tregut rajonal të energjisë elektrike dhe për avancim të dialogut mes palëve të prekura dhe vendimmarrësve.
Përndryshe, para pjesëmarrjes në Forum, ministrja Bozhinovska pati takim edhe me drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore (DG ENEST), Gert Jan Kopman të cilin e ka informuar për atë që deri më tani e ka bërë Qeveria dhe Ministria e re e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale për këtë periudhë të shkurtë.
Sipas Bozhinovskës, Kopman ishte befasuar nga puna e bërë deri më tani nga ana jonë, ndërsa veçanërisht ka shprehur kënaqësi nga finalizimi i tenderit për ndërlidhësin me Greqinë, si dhe nga tenderi i publikuar për lidhje me Shqipëri.
Kopman përshëndeti progresin e vendit deri më tani, siç dëshmohet nga pagesa e fondeve të parafinancimit në kuadër të Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se është i vetëdijshëm për shumë detyrime që shtrihen përpara në zbatimin e planeve nga Agjenda e Reformave. Në takim, Kopman njoftoi gjithashtu se do të vizitojë vendin. fc/