Bozhinovska: Gratë nuk e presin të ardhmen - ato e krijojnë
- – Gratë nuk janë e ardhmja e energjetikës dhe minierave – gratë janë e tashmja, porositi ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska në ngjarjen “Energjia e suksesit: Aty ku krijojnë gratë, e ardhmja ndryshon”.
- Post By Fitore Curri
- 13:48, 8 mars, 2025

Shkup, 8 mars 2025 (MIA) – Gratë nuk janë e ardhmja e energjetikës dhe minierave – gratë janë e tashmja, porositi ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska në ngjarjen “Energjia e suksesit: Aty ku krijojnë gratë, e ardhmja ndryshon”.
Kjo ngjarje, e organizuar nga ministrja Bozhinovska, u ishte kushtuar grave të cilat e formësojnë të ardhmen e energjetikës dhe minierave, industri të cilat tradicionalisht vlerësohen si “mashkullore”, por të cilat sot janë dëshmitarë të ndryshimeve të cilat i bëjnë pikërisht gratë.
“Kur gratë janë pjesë e vendimeve, strategjitë energjetike janë më të mençura, ndërsa burimet shfrytëzohen në mënyrë më efikase. Kjo nuk është luftë që të njihemi, kjo është luftë për rezultate. Si ministre, puna ime nuk është vetëm të “motivoj” gra të hyjnë në sektor, por të siguroj kushte që ato të përparojnë në të”, theksoi Bozhinovska në fjalimin e saj.
Ajo i theksoi edhe hapat konkretë të cilat i ndërmerr Ministria për mbështetje të grave në këto sektorë, duke përfshirë zhvillim profesional, programe mentorimi dhe balancë gjinore në menaxhimin.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe koordinatorja e përhershme e KB-së në vend e njohur si eksperte ndërkombëtare për barazi gjinore, Rita Kolumbia, e cila foli edhe për rrugën e saj si grua.
“Qëllimi para meje dhe vendosmëria për të qenë në gjendje të ndihmoj gratë në botë është ajo që më shtyu përpara. Si grua, e di shumë mirë se çfarë na pengon. Është thelbësore që ne të mos ecim vetëm rrugën, të kemi mbështetje dhe partneritet të vërtetë në familjet dhe rrethinat tona, por edhe që ne gratë të mbështesim njëra-tjetrën, të luajmë si ekip dhe të përparojmë së bashku”, tha Kolumbia.
Ngjarja përfshiu dy panel-diskutime frymëzuese, ku mbi 50 gra – lidere nga industria i ndanë përvojat dhe vizionet e tyre.
Pjesëmarrëset, duke përfshirë Katerina Novakova (Miniera SASA), Kristina Krsteva (Miniera Buçim), Ana Meshko (SHA EMV), Kika Shpritova, udhëheqëse e Departamentit të Minierave dhe Magdalena Daskalova (Sektori i Burimeve të Rinovueshme të Energjisë) MERMS, diskutuan për Thyerjen e barrierave, përvojat e tyre në këtë sektor, Barazisë Gjinore – a ka progres të rëndësishëm dhe çfarë duhet që të përmirësohet.
Në panelin e dytë, Sonja Lepitkova (Shoqëria Gjeologjike e Maqedonisë), Aleksandra Krkoleva (FZHZI), Simona Domazetovska (MEPSO) Maja Anaçkova (EMV), Valentina Stardelova (MERMS) diskutuan për: Faktorët kryesorë për avancimin në karrierë, si të arrihen pozita udhëheqëse dhe sukses, nevojën për mbështetje, mentorim dhe rrjetëzim dhe si të rritet numri i grave në profesionet STEM.
“Që të krijojmë bashkësi të grave në sektor, duhet të investojmë në mentorim dhe t’i ngritin zërat e tyre të cilët tashmë janë të suksesshëm. Historitë e tyre janë frymëzimi më i fuqishëm dhe do të inkurajojnë, do ta hapin rrugën”, porositën pjesëmarrëset.
Ngjarja “Energjia e suksesit” nuk ishte vetëm festim i arritjeve të grave në energjetikë dhe miniera, por edhe thirrje për veprim. Ajo e theksoi nevojën për barazi gjinore, mbështetje dhe përfshirje në këto sektorë, si dhe rëndësinë e detyrimit kolektiv për mbështetje të grave në profesionet STEM – të jetë frymëzim që shumë vajza të reja ta zgjedhin këtë profesion.
“Historitë e juaja janë të fuqishme. Arritjet e juaja janë frymëzuese. Edhe ëndrrat e juaja janë të realizueshme. Vazhdoni t’i shkelni barrierat dhe të frymëzoni! Bashkë, mund të bëjmë gjithçka”, porositi ministrja Sanja Bozhinovska. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s