• e mërkurë, 20 nëntor 2024

Borell: Në Ohër, Marrëveshja nuk është nënshkruar për arsye ligjore, por është ligjërisht e detyrueshme

Borell: Në Ohër, Marrëveshja nuk është nënshkruar për arsye ligjore, por është ligjërisht e detyrueshme

Bruksel, 20 mars 2023 (MIA) - Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Zhosep Borell, deklaroi sot se marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e arritur në takimin në Ohër, u bë ligjërisht e detyrueshme në momentin që Bashkimi Evropian doli me një deklaratë.

“Marrëveshja nuk është nënshkruar për arsye ligjore, por të dyja palët ranë dakord që deklarata ime (pas takimit në Ohër) paraqet një angazhim për të dyja palët që të angazhohen plotësisht për detyrimet që dalin nga kjo marrëveshje dhe zbatimi i saj", tha Borell pas takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së.

Ai shtoi se ky është një moment historik i rëndësishëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, i cili krijon një “status kuo të re në dialog”, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Borell sot i ka njoftuar krerët e diplomacisë evropiane për rezultatin e takimit të liderëve të Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq në Ohër më 18 mars.

Ai theksoi se BE-ja do të monitorojë procesin e zbatimit të gjithçkaje që është rënë dakord dhe shtoi se ka gjëra urgjente që duhet të zbatohen menjëherë, siç është krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

"Marrëveshja duhet të zbatohet sipas një kalendari të caktuar. Ky kalendar kërkon që secila palë të bëjë pjesën e vet. Nuk duhet të ndërtojmë një shtëpi nga çatia, por nga gjërat më urgjente. Ka gjëra që janë shumë urgjente, tha Borrell.

Në aneks (për zbatim), thuhet qartë se Kosova menjëherë do të angazhohet për formimin e Asociacionit në Kosovë, potencoi Borell.

fotо: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR