• e hënë, 23 dhjetor 2024

Borell: Maqedonia e Veriut dhe nëntë vende të tjera janë pajtuar me sanksionet shtesë të BE-së ndaj SHI-së dhe Al-Kaedës

Borell: Maqedonia e Veriut dhe nëntë vende të tjera janë pajtuar me sanksionet shtesë të BE-së ndaj SHI-së dhe Al-Kaedës

Bruksel, 10 prill 2024 (MIA) - Vendet kandidate për anëtarësim në BE - Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Ukraina, Moldavia dhe Bosnja e Hercegovina, anëtarët e EFTA-s dhe Zonës Ekonomike Evropiane - Islanda dhe Lihtenshtajni, si dhe Armenia u pajtuan me Vendimin e Këshillit të BE-së të datës 25 mars 2024 për të shtuar një person dhe një grup në listën e individëve, organizatave, kompanive dhe subjekteve që i nënshtrohen sanksioneve për shkak të lidhjeve me grupet terroriste Shteti Islamik (SHI) dhe Al Kaeda, kumtoi sot përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Zhozep Borell.

"Këto vende do të sigurojnë që politikat e tyre kombëtare të jenë në përputhje me këtë Vendim të Këshillit. Bashkimi Evropian e vëren dhe e mirëpret këtë angazhim", theksohet në deklaratën e Borelit në emër të BE-së me rastin e harmonizimit e 10 vendeve me masat kufizuese të bllokut.

Këshilli i BE-së më 25 të muajit të kaluar vendosi që në listën e të sanksionuarve për shkak të lidhjeve me SHI-në dhe Al-Kaedën t'i shtojë Ibrahim al-Shafi Al Salem, i njohur si Aba Al-Sahravi, i cili është lider i grupit Shteti Islamik - provinca Sahel, që operon në zonën kufitare midis Burkina Fasos, Nigerit dhe Malit, si dhe organizatës Fronti Çlirimtar i Macinas (Katiba Matcina), e cila është e lidhur me degën e al-Kaedës në rajonin e Sahelit, Grupi për Mbështetjen e Islamit dhe Myslimanëve ( JNIM). Katiba Macina operon në Malin qendror, si dhe në Niger dhe Burkina Faso.

Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, në listën e të sanksionuarve për shkak të lidhjeve me SHI-NË dhe Al-Kaedën janë gjithsej 15 persona dhe gjashtë grupe. Pasuritë e tyre janë të ngrira dhe personave dhe subjekteve nga BE-ja u ndalohet të vënë në dispozicion mjete ose burime ekonomike. Gjithashtu, personave fizikë u ndalohet hyrja në territorin e BE-së.

Vitin e kaluar më 23 tetor, Këshilli i BE-së e zgjati mekanizmin e masave kufizuese kundër SHI-së, Al-Kaedës dhe personave fizikë, grupeve, kompanive dhe subjekteve të lidhura me ta, edhe për një vit deri më 31 tetor 2024. ls/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR