• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Borell: BE-ja do të sigurojë dy milionë euro për qëndrueshmëri më të madhe të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi

Borell: BE-ja do të sigurojë dy milionë euro për qëndrueshmëri më të madhe të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi

Bruksel, 13 dhjetor 2023 (MIA) - Një nga rezultatet e Samitit BE-Ballkani Perëndimor do të jetë njoftimi se do të sigurojmë gati dy milionë euro shtesë për të forcuar qëndrueshmërinë e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi, tha Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Unionit, Zhozep Borell para fillimit të takimit të kreut në Bruksel.

"Gjatë këtij viti kam udhëtuar shumë në rajon. Kemi mbajtur Këshillin e Asociimit në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe ne duhet të vazhdojmë të angazhohemi më shumë me ta, veçanërisht në rritjen e qëndrueshmërisë ndaj sulmeve kibernetike dhe formave të reja të luftës", tha Borell.

Siç raportoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, ai ka theksuar se jetojmë në një mjedis të vështirë, sfidues dhe të rrezikshëm dhe kjo ndikon në BE, në fqinjësinë e saj dhe në Ballkanin Perëndimor, andaj procesi i zgjerimit duhet të përshpejtohet.

"Është garancia jonë më e rëndësishme e sigurisë dhe mënyra jonë më e rëndësishme për t'u bërë partnerë", theksoi Borell.

Sipas tij, nga perspektiva e politikës së jashtme, BE-ja duhet të mbështesë ato vende nga Ballkani Perëndimor që janë më në përputhje me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, sepse prej saj varet rezistenca e tyre ndaj sfidave të sigurisë.

"Gjërat po lëvizin - ngadalë, por lëvizin. Dhe ne duhet t'i shtyjmë të vazhdojnë në këtë rrugë, sepse është e vetmja mënyrë që ata të kenë një perspektivë të qartë evropiane", tha Borell. sa/

Foto: EBS

QËNDRONI TË LIDHUR