• e diel, 29 shtator 2024

Borel: Nuk ka kushte për "rivendosje" të marrëdhënieve me Rusinë në një të ardhme të afërt

Borel: Nuk ka kushte për

Bruksel, 16 shtator 2024 (MIA) - Unë nuk shoh asnjë mundësi për një marrëveshje paqeje me Rusinë të udhëhequr nga presidenti Vlladimir Putin dhe nuk pres një "rivendosje" të marrëdhënieve të Bashkimit Evropian me Moskën në një të ardhme të afërt, deklaroi përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe sigurim Zhosep Borel në një intervistë për “Euraktiv Italia”.

"Në të ardhmen e largët, në një mjedis të pasluftës, mund të ketë disa ndryshime kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Rusinë, por fakti mbetet se lufta ka gjasa të vazhdojë dhe vështirë se ka ndonjë normalizim në këto rrethana. Ne si BE kemi linja të kuqe", tha Boreli.

Sipas tij, nuk mund të parashikohen marrëdhënie mes BE-së dhe Rusisë në kushtet kur regjimi rus “e sheh veten në luftë me Perëndimin dhe Evropën”.

"Putini qartë tregon se ai nuk po tërhiqet nga kërkesat e tij maksimaliste: duke pushtuar Ukrainën dhe duke nënshtruar popullin ukrainas, ndërsa ndoshta ai ka ambicie më të mëdha jashtë Ukrainës", thotë Boreli.

Lidhur me negociatat e mundshme të paqes me Rusinë, diplomati i parë i BE-së thekson se janë të njohura “eksperiencat në negociatat” me Putinin, duke vënë në dukje bisedimet në Minsk për t'i dhënë fund përplasjeve mes Kievit dhe separatistëve prorusë në Donbas në vitin 2014, të cilat ai i vlerësoi si një kurth që lejoi Moskën të përgatitej për luftën aktuale. Prandaj, sipas tij, Evropa nuk duhet të përsërisë të njëjtat gabime.

Duke folur, nga ana tjetër, për marrëdhëniet mes BE-së dhe Kinës, Borel theksoi se ato do të varen në masë të madhe nga mënyra se si do të sillet Pekini ndaj konfliktit në Ukrainë dhe marrëdhënieve të tij me Rusinë, të cilën Unioni e konsideron si kërcënimin kryesor gjeopolitik.

Sipas tij, nuk ka dyshim se sistemet politike të BE-së dhe Kinës janë të ndryshme dhe se në këtë drejtim ka rivalitet ideologjik dhe shqetësim për abuzime dhe shkelje të të drejtave të njeriut në vend.

Lidhur me hetimin e Komisionit Evropian për subvencione shtetërore kineze për prodhuesit vendas të paneleve diellore dhe automjeteve elektrike dhe vendimin e Brukselit për të vendosur tarifa shtesë të importit për makinat elektrike të prodhuara në Kinë, Boreli thotë se BE-ja po përpiqet të shmangë një luftë tregtare me Pekinin, por duhet mbrojnë industrinë e saj nga konkurrenca jolojale. 

I pyetur për koment mbi prioritetet e politikës së jashtme të dy kandidatëve për presidencën amerikane në zgjedhjet e nëntorit, Kamala Haris dhe Donald Tramp, dhe ndikimin e tyre në Evropë, Borel vlerësoi se ishte “e qartë se ka dallime të rëndësishme” mes tyre, veçanërisht për Ukrainën, multilateralizmin, ndryshimet klimatike dhe NATO-n.

Sipas tij, duhet të shihet "çfarë do të sjellin zgjedhjet në SHBA", por se megjithatë “Evropa duhet të kujdeset për veten”.

“Duhet të bëjmë më shumë për të siguruar mbrojtjen dhe sigurinë tonë ekonomike, përfshirë edhe zhvillimin e bazës sonë mbrojtëse-industriale”, përfundoi Borel. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR