• e premte, 22 nëntor 2024

Borel: Gonzalez duket se është fituesi i zgjedhjeve presidenciale në Venezuelë

Borel: Gonzalez duket se është fituesi i zgjedhjeve presidenciale në Venezuelë

Bruksel, 5 gusht 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian vazhdon të ndjekë me shqetësim të madh zhvillimet në Venezuelë dhe bën thirrje për qetësi dhe përmbajtje, theksohet në deklaratën me shkrim të Përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Zhozep Borell të publikuar vonë mbrëmë lidhur me ngjarjen në këtë shtet të Amerikës së jugut pas zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 28 korrik. 

"Në këtë kohë kritike, është e rëndësishme që demonstratat dhe protestat të mbeten paqësore. Autoritetet venezueliane, përfshirë forcat e sigurisë, duhet të respektojnë plotësisht të drejtat e njeriut, duke përfshirë lirinë e shprehjes dhe të tubimit", theksoi Borell në deklaratën e dërguar në emër të BE-së.

Sipas Borelit, në raportet e misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve thuhet qartë se zgjedhjet presidenciale nuk kanë përmbushur standardet ndërkombëtare për integritetin zgjedhor.

Këshilli Kombëtar Zgjedhor i Venezuelës (CNE) shpalli zyrtarisht Maaduron fituesin e zgjedhjeve me 51,95 për qind të votave, përpara kandidatit për Platformën Unitare Demokratike (PUD) të opozitës së bashkuar, Edmundo Gonzalez me 43,18 për qind. Por opozita i hedh poshtë rezultatet e tilla nga CNE, e cila dominohet nga njerëz nga Partia e Bashkuar Socialiste e Venezuelës (PSUV) e Maduros, duke akuzuar mashtrime dhe falsifikime zgjedhore. Sipas rezultateve të PUD, Gonzalez fitoi 67,14 për qind dhe Maduro 30,41 për qind të votave. Situata të tilla çuan në protesta masive të mbështetësve të opozitës, ku deri më tani kanë vdekur të paktën 17 persona.

"Pavarësisht përkushtimit të tij, Këshilli Kombëtar Zgjedhor i Venezuelës nuk ka publikuar ende procesverbalin zyrtar të votimit në qendrat e votimit. Pa to si provë, rezultatet e shpallura më 2 gusht nga CNE nuk mund të pranohen. Çdo përpjekje për të vonuar publikimin e plotë të të dhënave zyrtare të votimit vetëm do të hedhë më tej dyshime mbi besueshmërinë e rezultateve të shpallura zyrtarisht", thotë Borel.

Ai theksoi më tej se sipas kopjeve të procesverbaleve zgjedhore të publikuara nga opozita, të shqyrtuara nga disa organizata të pavarura, “duket se Gonzalez është fituesi i zgjedhjeve presidenciale me një shumicë të konsiderueshme”.

"Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian bën thirrje për verifikim të mëtejshëm të pavarur të të dhënave zgjedhore, nëse është e mundur nga një subjekt i njohur ndërkombëtarisht, shtohet në deklaratën.

Sipas Borel, BE është seriozisht e shqetësuar për rritjen e numrit të ndalimeve arbitrare dhe keqtrajtimit të vazhdueshëm të anëtarëve të opozitës dhe u bën thirrje autoriteteve venezueliane të ndalojnë arrestime të tilla, represione dhe retorika të dhunshme kundër anëtarëve të opozitës dhe shoqërisë civile dhe të lirojnë të gjithë të burgosurit politikë.

"Bashkimi Evropian mirëpret përpjekjet e partnerëve rajonalë, me të cilët mbetet në kontakt të ngushtë, për të nxitur dialogun dhe zgjidhjen e krizës përmes negociatave. Respektimi i vullnetit të popullit venezuelian mbetet e vetmja mënyrë që Venezuela të rivendosë demokracinë dhe të kapërcejë krizën aktuale humanitare dhe socio-ekonomike", shtoi Borel në deklaratën me shkrim. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR