• e martë, 26 nëntor 2024

Borel: BE-ja dënon operacionin ushtarak të Azerbajxhanit në Nagorno-Karabah dhe pret ndërprerje të menjëhershme të armiqësive

Borel: BE-ja dënon operacionin ushtarak të Azerbajxhanit në Nagorno-Karabah dhe pret ndërprerje të menjëhershme të armiqësive

Bruksel, 21 shtator 2023 (MIA) - Bashkimi Evropian dënon operacionin ushtarak të Azerbajxhanit kundër popullatës armene në Nagorno-Karabah dhe shpreh keqardhje për viktimat dhe humbjet e jetëve të shkaktuara nga ky përshkallëzim, tha Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Zhosep Borel.

Në deklaratën me shkrim të Borelit thuhet se janë notuar informacione se është arritur marrëveshje armëpushimi dhe BE pret ndërprerje të menjëhershme dhe të plotë të armiqësive dhe respektim të armëpushimit të arritur.

"BE-ja i bën thirrje Azerbajxhanit të lejojë qasje të menjëhershme dhe të papenguar humanitare për popullsinë që ka nevojë për ndihmë, duke përfshirë rihapjen e plotë të Korridorit Laçin në pajtueshmëri me vendimet e Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë nga shkurti dhe korriku 2023. Punonjësit humanitar duhet të jenë në gjendje të punojnë lirshëm. BE-ja dhe vendet e saja anëtare janë të gatshëm të ofrojnë ndihmë të menjëhershme humanitare", shtohet në deklaratë.

Borel thekson më tej se BE i bën thirrje "Bakut dhe armenëve të Karabahut urgjentisht të përfshihen në dialogun gjithëpërfshirës dhe transparent".

"Azerbajxhani ka përgjegjësinë për të garantuar të drejtat dhe sigurinë e armenëve të Karabahut, duke përfshirë të drejtën e tyre për të jetuar në shtëpitë e tyre pa frikë dhe diskriminim. Zhvendosja e detyruar e popullatës civile përmes mjeteve ushtarake ose të tjera do të përballet me një përgjigje të fuqishme nga BE-ja. BE-ja është e gatshme të ndërmarrë veprimet e duhura në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës", ka thënë përfaqësuesi i lartë i Unionit.

Në deklarata shtohet se BE-ja rikonfirmon mbështetjen e saj për sovranitetin dhe integritetin territorial të Azerbajxhanit dhe Armenisë.

"I bëjmë thirrje Azerbajxhanit të riafirmojë angazhimin e tij të qartë për integritetin territorial të Armenisë konform Deklaratës së Almatit të vitit 1991. BE-ja është e gatshme të mbështesë më tej autoritetet e zgjedhura në mënyrë demokratike të Armenisë në ruajtjen e sigurisë dhe vazhdimin e reformave demokratike në vend. Misioni i Bashkimit Evropian në Armeni (EUMA) do të vazhdojë të monitorojë dhe informojë mbi situatën e sigurisë përgjatë anës armene të kufirit ndërkombëtar me Azerbajxhanin", theksohet në deklaratë.

Borel mes tjerash thekson se BE-ja bën thirrje për vazhdimin e negociatave midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për të gjitha çështjet e pazgjidhura në drejtim të përfundimit të një marrëveshje paqësore dhe mbetet plotësisht e përkushtuar për ruajtjen e negociatave të tilla.

Foto: arkivi i MIA-s



QËNDRONI TË LIDHUR