Bora shkaktoi probleme në qarkullim, ndalesë për kamionë në disa akse rrugore
- Reshjet e borës kanë shkaktuar probleme në komunikacion. Ndalesë për qarkullim për automjete të rënda transportuese është vendosur në disa akse rrugore në mbarë vendin, ndërsa Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) ka dhënë informatë urgjente për gjithë ata që gjenden në Berovë që të mos udhëtojnë për shkak të reshjeve të dendura të borës.
- Post By Fami Bajrami
- 15:50, 16 dhjetor, 2023
Shkup, 16 dhjetor 2023 (MIA) - Reshjet e borës kanë shkaktuar probleme në komunikacion. Ndalesë për qarkullim për automjete të rënda transportuese është vendosur në disa akse rrugore në mbarë vendin, ndërsa Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) ka dhënë informatë urgjente për gjithë ata që gjenden në Berovë që të mos udhëtojnë për shkak të reshjeve të dendura të borës.
Nga ora 10 sipas informacioneve të Lidhjes Automote të Maqedonisë (LAMM) dhe Ndërmarrjes publike “Rrugët e Maqedonisë” është vendosur ndalesë për qarkullimin e të gjitha llojeve të automjeteve në drejtimin rrugor Berovë – Liqeni i Berovës, për shkak të reshjeve të dendura të borës.
Nga QMK apeluan deri te të gjithë personat që për momentin ndodhen në afërsi të Liqenit të Berovës - të mos dalin në rrugë, ndërsa nëse kanë nevojë për ushqime dhe ilaçe të lajmërohen në numrin 112 në QMK ku komuna e Berovës më pas do t'ju del në ndihmë dhe për atë që kanë nevojë.
Qendrat rajonale për menaxhim me kriza në Berovë dhe Shtip, në një komunikim koordinues përmes Sektorit për operacione dhe koordinim, kumtuan se rruga Berovë-Strumicë është plotësisht në ndërprerje për shkak të reshjeve të borës dhe rënies së pemëve në rrugë.
Ndalesë për qarkullim për automjete të rënda transportuese ka në akset rrugore në krahun Mavrovë - Hanet e Mavrovës dhe Dvorishtë- Stumicë- Berovë. Edhe në drejtimin rrugor Tetovë – Kodër e Diellit, gjegjësisht në shtrirjen nga fshati Lisec drejt Kodrës së Diellit është vendosur ndalesë për autobusët dhe automjetet e rënda të mallrave, ndërsa për automjetet e tjera e domosdoshme është përdorimi i pajisjeve dimërore (zinxhirët).
LAMM informon se komunikacioni nëpër rrugët shtetërore zhvillohet në kushte dimërore, nëpër rrugë të lagështa. Intensiteti i komunikacionit në drejtimet rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar, ndërsa në vendkalimet kufitare nga ana jonë nuk ka vonesa për hyrje dhe dalje nga vendi.
Për ditët në vijim sinoptikët paralajmërojnë mot stabil, me temperatura të ulëta gjatë mëngjesit, ndërsa ato gjatë ditës do të jenë në rritje, përveç në disa lugina ku do të ketë mjegull.
Foto: arkivi i MIA-s