Bogoev: Lehtësimi i tregtisë përmes modernizimit dhe zgjerimit të vendkalimit kufitar Deve Bair
- Modernizimi dhe zgjerimi i vendkalimit kufitar Deve Bair, ishte një nga temat gjatë vizitës së sotme të drejtorit të Drejtorisë së Doganave, Stefan Bogoev dhe zëvendës drejtorit, Muarem Asani, në vendkalimin kufitar Deve Bair, njoftojnë nga Drejtoria e doganave.
- Post By Besnik Shuki
- 17:24, 18 gusht, 2023
Shkup, 18 gusht 2023 (MIA) - Modernizimi dhe zgjerimi i vendkalimit kufitar Deve Bair, ishte një nga temat gjatë vizitës së sotme të drejtorit të Drejtorisë së Doganave, Stefan Bogoev dhe zëvendës drejtorit, Muarem Asani, në vendkalimin kufitar Deve Bair, njoftojnë nga Drejtoria e doganave.
"Modernizimi i vendkalimit kufitar realizohet në kuadër të Projektit për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor, me ç'rast në fazën e parë të projektit është paraparë ndërtimi i objektit të terminalit për doganë të mallrave dhe rikonstruimi i ndërtesës administrative. Në fazën e dytë u planifikua zgjerimi i vendkalimit me dy korsi shtesë në hyrje dhe dalje nga shteti, ndërsa u planifikua edhe rikonstruimi i rrugës deri te terminali për automjete të rënda për shkak të shfrytëzimit të tij të papenguar edhe në kushte dimri", deklaroi Bogoev.
Ai shtoi se në kuadër të projektit planifikohet edhe ndërtimi i stacionit të ri filtrues dhe vendosja e peshores së re për komunikacionin transportues.
Këto aktivitete, siç theksoi Bogoev, në mënyrë shtesë do ta lehtësojnë tregtinë dhe do ta përshpejtojnë transportin, që do të mundësojë përmirësimin e kushteve për udhëheqjen e biznesit.
Nga Drejtoria thonë se sot në këtë vendkalim u zbatua fushata "Stop për korrupsionin" në kuadër të së cilës drejtori Bogoev dhe zëvendësi Asani së bashku me punonjësit doganorë i kanë informuar qytetarët për pasojat e dëmshme nga korrupsioni, si dhe mënyrën, me të cilën mund ta paraqesin të njëjtën. bsh/
Foto: Drejtoria e doganave