• e hënë, 23 dhjetor 2024

Blinken: Progres në dërgesën e ndihmës në Gazë, armëpushimi "më efikas" për zgjidhjen e krizës humanitare

Blinken: Progres në dërgesën e ndihmës në Gazë, armëpushimi

Riad, 29 prill 2024 (MIA) - Sekretari shtetëror amerikan Entoni Blinken në takimin e liderëve rajonalë në Riad deklaroi se mënyra më efektive për zbutjen e vuajtjeve humanitare në Gazë është që të arrihet armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit. 

Duke folur në Arabinë Saudite, sekretari shtetëror amerikan tha se ka "progres të matur" në dorëzimin e ndihmës për Gazën, por se nevojitet më shumë. 

Blinkeni tha edhe se Irani është burimi më i madh i paqëndrueshmërisë në rajon. 

Ai theksoi se ngjarjet e disa muajve të fundit treguan se ka dy rrugë të mundshme. Njëra, tha ai, ishte shënuar me "ndarje, shkatërrim, dhunë dhe pasiguri të vazhdueshme". 

Megjithatë, ai theksoi se takimet si ai i sotmi kanë treguar se ka shumë më shumë kombe në rajonin e Riadit të interesuar për rrugën e dytë, "integrim më të madh, siguri më të madhe, paqe më të madhe". 

"Shumë prej nesh duan të ecin në atë rrugë", tha Blinkeni. 

Ai u takua edhe me ministrin saudit të Punëve të Jashtme, princin Fajsall bin Farhan al Saud. 

Blinkeni, gjithashtu, do të takohet me ministrin turk të Punëve të Jashtme, Hakan Fidan dhe përfaqësues të tjerë rajonalë para vizitës së pritur në Izrael më vonë gjatë javës. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR