• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Blinken: Lagjet hebraike janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare

Blinken: Lagjet hebraike janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare

Jerusalem, 23 shkurt 2024 (MIA) - Sekretari amerikan i Shtetit, Entoni Blinken, sot, pas paralajmërimit të Izraelit se do të ndërtojë rreth 3.300 banesa të reja në Bregun e okupuar Perëndimor, deklaroi se Uashingtoni konsideron se këto lagje hebraike e shkelin të drejtën ndërkombëtare.

Blinken me këtë e hodhi poshtë të ashtuquajturën doktrinë të Pompeos, në bazë të së cilës lagjet hebraike nuk konsiderohen në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Politika e tillë e vtit 2019, zbatuar nga sekretari i atëhershëm amerikan, Majk Pompeo, e hodhi poshtë memorandumin e vitit 1978 të këshilltarit juridik të Departamentit amerikan të Shtetit, Herbert Hansel, i cili i vlerësoi lagjet hebraike si legale.

Administrata e Bajdenit deri më tani evitoi t'i kundërvihet një pozite të tillë.

"Lagjet e reja janë kundër-produktive për arritjen e paqes së qëndrueshme", tha Blinken në konferencëmn për shtyp në Buenos Ajres.

"Ato janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Administrata jonë e kundërshton zgjerimin e lagjeve. Sipas mendimit tonë, kjo vetëm e dobëson, ndërkaq nuk e përforcon sigurinë e Izraelit", vlerësoi sekretari amerikan i Shtetit, transmetuan mediumet izraelite.

Duke i paralajmëruar planet për ndërtim të ri të banesave në lagjet hebraike, ministri izraelit i Financave, Becalel Smotriç tha se ajo është "përgjigje adekuate zioniste" ndaj sulmit të djeshëm të armatosur në Bregun Perëndimor.

Pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar i konsideron lagjet hebraike të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare dhe pengesë kryesore për zgjidhje të konfliktit mes dy popujve sipas modelit të dy shteteve, i cili parasheh krijim të shtetit palestinez në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës. ab/

 

QËNDRONI TË LIDHUR