• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Blinken e fillon vizitën në lindjen e Mesme për të pestën herë që nga fillimi i konfliktit në Gaza

Blinken e fillon vizitën në lindjen e Mesme për të pestën herë që nga fillimi i konfliktit në Gaza

Uashington, 4 shkurt 2024 (MIA) - Sekretari shtetëror amerikan Entoni Blinken sot do ta fillojë vizitën e tij në Arabinë Saudite, Egjipt, Katar, Izrael dhe Bregun Peërndimor, që do të zgjasë deri më 8 shkurt, njoftoi Departamenti i shtetit.

Në kumtesë theksohet se kjo është vizita e pestë e ministrit amerikan të Punëve të Jashtme në rajon pasi grupi militant palestinez Hamas e sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, që çoi në një operacion ushtarak izraelit në Rripin e Gazës.

"Blinken do të vazhdojë me përpjekjet diplomatike për arritjen e marrëveshjes për lirimin e të gjitha pengjeve dhe rritjen e dërgesës së ndihmës humanitare për civilët në Gaza", kumtoi Departamenti i shtetit.

Shtohet se sekretari shtetëror amerikan do të bëjë përpjekje ta parandalojë përhapjen e konfliktit, njëkohësisht duke konfirmuar se SHBA do t'i ndërmarrë hapat e domosdoshëm për mbrojtjen e personelit të tij dhe të drejtën e lundrimit të lirë në Detin e Kuq.

Sipas Departamentit të Shtetit, Blinken do të vazhdojë gjithashtu bisedimet me partnerët se si të krijohet një rajon më i integruar dhe paqësor që përfshin sigurinë e vazhdueshme për izraelitët dhe palestinezët.

Nga mesi i nëntorit të vitit 2023, grupi militant jemenas huthët, i cili kontrollon pjesë të Jemenit, sulmoi dhjetëra anije civile në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, siç thuhet, si mbështetje e grupit militant palestinez Hamas në luftën e tij kundër Izraelit.

SHBA dhe Britania e Madhe njoftuan se mbrëmë, me sulme ajrore nga aeroplanët britanik dhe amerikan qëlluan 36 objektiva në 13 lokacione të huthëve, në ditën e dytë të operacioneve të mëdha të SHBA-së kundër grupeve të lidhura me Iranin pas sulmit vdekjeprurës ndaj ushtarëve amerikanë fundjavën e kaluar. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR