• e martë, 24 dhjetor 2024

Bislimoski: Deri të hënën ose të martën do ta marrim vendimin për çmimin e ngrohjes

Bislimoski: Deri të hënën ose të martën do ta marrim vendimin për çmimin e ngrohjes

Shkup, 25 tetor 2023 (MIA) - Deri në fund të muajit, më së voni deri të hënën ose të martën do ta sjellim vendimin për çmimin e ngrohjes qendrore në Shkup, sepse është realizuar ajo që kemi kërkuar katër muaj - filluan aktivitetet për rehabilitimin e gazsjellësit në urën "Bellasica" në Shkup, tha sot kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), Marko Bislimovski.

Gjatë sjelljes së vendimit, siç tha KRRE, do të vazhdojë me supozimin se gazsjellësi i urës "Bellasica" është plotësisht funksional dhe do të hyjë në llogaritjet e çmimit për energjinë e cila zakonisht merret nga TE-TO.

"Do të vazhdojmë procedurën për përcaktimin e çmimit të ngrohjes me të dhënat nga kompanitë që i kemi marrë në qershor. Gjithashtu, dje kërkuam disa të dhëna të përditësuara për kostot e blerjes së gazit natyror, pasi tashmë kanë kaluar tre muaj. Ne e bëmë këtë për të pasur një vendim më të saktë. Me këtë do të shfrytëzojmë të dhënat e mëparshme dhe të dhënat që do t'i marrim sot ose nesër", tha Bislimoski në pauzë të Konferencës inauguruese "Për një të ardhme të gjelbër - udhëzime për kalimin në burime të ripërtëritshme të energjisë" organizuar nga Asociacioni i Maqedonisë për Energjeti nga Burimet e Rinovueshme (MARES).

Ai theksoi se KRRE nuk do të lejojë kurrfarë goditje të çmimeve.

"Zakonisht ka inflacion, rritje të kostove për blerjen e materialeve të caktuara siç është në të gjitha industritë, por kostoja më e madhe i referohet çmimit të gazit natyror dhe ngrohjes që duhet të blihet nga TE-TO. Në pjesën më të madhe, kur marrim vendimin për çmimin, ne do të përqendrohemi në këto kosto. Me këtë vendim duhet të kthehet edhe kredia e dhënë nga Qeveria në janar të vitit 2022. A do ta kthejmë kredinë përnjëherë apo në një periudhë të caktuar varet se si do të shikohen rezultatet për çmimin përfundimtar", sqaron Bislimoski.

Ai shfaqi shpresën se përkrahja dhe subvencionet e Qeverisë do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme dhe shtoi se vendimin nuk e merr KRRE, por Qeveria.

"Besoj se do të gjendet mënyra për të vazhduar me ndihmën e qytetarëve të Qytetit të Shkupit për sa i përket çmimit të energjisë ngrohëse", tha Bislimoski.

Ai theksoi se vendimi që ata do të marrin nuk do t'i nënshtrohet rishikimit edhe nëse Bullgaria nuk tërhiqet nga taksa që ka vendosur për transportin e gazit natyror rus.

"Vendimi ynë nuk do të rishikohet. Sipas të dhënave që kam, javën e fundit ka pasur një tender për blerjen e gazit natyror nga EMV dhe çmimi që kanë marrë është brenda kufijve të pritshëm dhe në raport me çmimin e bursës më të madhe në Holandë. Me shumë mundësi, ato 10 euro tashmë kanë hyrë atje", tha Bislimoski. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR