• e hënë, 25 nëntor 2024

Bislimi: Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës nuk është diskutuar apo kontestuar në Bruksel

Bislimi: Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës nuk është diskutuar apo kontestuar në Bruksel

Prishtinë, 22 mars 2024 (MIA) - Zëvendëskryeministri i parë dhe kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi thotë se në takimin e fundit në Bruksel nuk është diskutuar e as kontestuar Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), me të cilën ndalohet përdorimi i dinarit serb në vend, por se është biseduar për modalitetet se si mund të arrihet kjo në kuadër të asaj rregullore, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Bislimi për televizionin ATV deklaroi se Prishtina ka shprehur gatishmëri që të bisedojë për modalitetet e zbatimit të rregullores në momentin kur është parë se ka vështirësi në transferimin e ndihmës nga Serbia për pjesëtarët e bashkësisë serbe në Kosovë.

"Në Bruksel nuk është diskutuar as kontestuar Rregullorja e Bankës Qendrore, për arsye se Banka Qendrore e Kosovës ka monopol në dizajnimin e politikës monetare, por në atë moment kur një politikë dizajnohet atëherë janë qytetarët ata të cilët janë të ngarkuar me zbatimin e saj. Ne kemi Rregulloren e Bankës Qendrore, e cila specifikon qartë se si duhet të kryhet importi dhe eksporti i monedhave dhe në atë moment që është vërejtur se kjo ka krijuar komplikime për bartjen e mbështetjes financiare që Serbia dërgon për qytetarë të komunitetit serb në Kosovë, ne jemi të treguar të gatshëm të diskutojmë modalitetet se si kjo mund të arrihet edhe më tej brenda Rregullores së BQK-së", tha Bislimi.

Ai tha se ajo që do të dorëzojnë nesër në Bruksel nuk janë propozime për rregulloren, por ide se si transferi i mbështetjes financiare të Serbisë drejt qytetarëve të bashkësisë serbe është i mundshëm brenda kësaj Rregullore. 

Kosova dhe Serbia sot do t'i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, përderisa javën e ardhshme përsëri do të takohen në Bruksel që të bisedojnë për opsionet. 

Të dyja palët në takimin në nivel të kryenegociatorëve të cilin e patën të martën, u angazhuan që deri më 22 mars t'i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes për përdorimin e dinarit në Kosovë. 

Diplomatët perëndimorë kërkuan nga Kosova që ta shtyjë zbatimin e rregullores, me qëllim që tu japë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten në praktikën e re. 

Lidhur me këtë çështje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë javë deklaroi se nuk ka propozime të cilat i pranon Kosova, ndërsa të cilat janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së, me të cilin konfirmohet se euro është mjeti i vetëm për pagesa në para të gatshme në Kosovë.

"Ata vazhdimisht japin propozime. Nuk do të thotë se do të bëj publike propozimet e tyre, sikur të isha zëdhënës i ambasadave. Unë nuk mund ta bëj këtë punë. Po ju them se i kemi dorëzuar një letër Bankës Popullore të Serbisë në emër të guvernatorit, i cili në këtë rast na përfaqëson të gjithëve si qytetarë të Republikës, ju si gazetarë, mua si kryeministër dhe presim përgjigje nga pala tjetër. Për opsionet që japin amerikanët, gjermanët dhe të tjerët, besoj se duhet të flasin vetë", tha Kurti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR