• e hënë, 23 dhjetor 2024

Bislimi: Pala serbe nuk ofron ide për zgjidhjen e problemit me përdorimin e dinarit në Kosovë

Bislimi: Pala serbe nuk ofron ide për zgjidhjen e problemit me përdorimin e dinarit në Kosovë

Prishtinë, 18 prill 2024 (MIA) - Raundi i sotëm, i katërt mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, përfunsoi pa kurfarë marrëveshje për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt të këtij viti, lajmëruan mediumet në Prishtinë.

Bislimi pas takimit, të cilin e udhëhoqi ndërmjetësi i BE-së në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Mirosllav Lajçak, deklaroi se pala serbe nuk ka ardhur me ide se si të përballet me propozimin e Lajçakut, i cili ishte paraqitur në takimin e kaluar, të mbajtur më 4 prill.

Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, zëvendëskryeministri i kosovës e përmendi edhe kontekstin e ngjarjeve të fundit në të cilin u mbajt takimi i sotëm në Bruksel.

Takimi i sotëm u mbajt dy ditë pas vendimit shumë të rëndësishëm në Këshillin e Evropës, vendim ky që manifestoi edhe modelin evropian, por edhe të Kosovës se si duhet të promovohet edhe integrimi i rajonit, por edhe të ndërtohen raportet mes vendeve fqinje. Dhe një ditë pas manifestimit të modelit serb të normalizimit dhe integrimit apo zbatimit të marrëveshjeve që u manifestua përmes ekspozimit të një mentaliteti mesjetar të trajtimit të qytetarëve të një vendi fqinj, përmes ndaljes së tyre nëpër pikat kufitare, arrestimit, maltretimit të tyre, dhe në këtë kontekst mbase duhet të shihet dhe qasja e Serbisë në takimin e sotëm”, ka thënë Bislimi para gazetarëve.

Ai tha se pala serbe "edhe në takimin e sotëm në mënyrë perfekte treguan kotësinë dhe pamë mosvërtetësinë e konstatimit të tyre të hershme që kemi një çështje urgjente ku disa qytetarë serb nuk kanë arritur të marrin benefitet e tyre.

"Njësoj si herët e kaluara ka patur zero interesim nga pala serbe që të merren me këta qytetarë dhe gjithë energjia e tyre është sërish e orientuar drejt licencimit të një subjekti ekonomik të Serbisë në Kosovë, gjë që për ne është e papranueshme dhe këtë e kemi bërë të qartë në vazhdimësi", tha Bislimi.

Sipas tij, takimi i sotëm është dashur të ndodhë vetëm në një frymë konstruktive ku ne është dashur të diskutojmë mbi propozimin e konsoliduar të z. Lajçak".

"Në vend të kësaj Serbia ka ardhur me një propozim krejtësisht të ri duke dashur që situatën ta kthejë në pikën fillestare gjë që ne nuk e kemi pranuar natyrisht, dhe në fund Serbia ka pranuar që të kthehet tek ajo pikë ku është dashur të jemi sot, rrjedhimisht që në takimin e ardhshëm të diskutojmë kryekëput dhe ekskluzivisht mbi propozimin e palës evropiane", tha Bislimi.

Kryenegociatori Bislimi ka thënë se "takimi i sotëm mund të quhet si takim i kotë, i pa rezultat dhe ndoshta si sukses i politikës obstruktive të palës serbe, e cila vetëm ka dëshiruar të blejë kohë në vazhdimësi dhe me çka na konfirmon qëndrimin tonë se në këtë problematikë me të cilën ballafaqohemi me gjasë nuk ka kurrfarë urgjence dhe nuk ka kurrfarë interesimi të palës serbe që brengat e qytetarëve serb të trajtohen". ab/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR