• e mërkurë, 12 mars 2025

Bishev: Ekziston konsensus se ka mungesë të mjeteve në Fondin pensional, mbetet të përcaktohet terapia

Bishev: Ekziston konsensus se ka mungesë të mjeteve në Fondin pensional, mbetet të përcaktohet terapia

Shkup, 13 dhjetor 2024 (MIA) - Projeksionet bëhen nga të gjitha anët, ndërsa kyçe është se ka ndërgjegjësim që mungojnë mjete në Fondin pensional dhe se duhet gjetur një zgjidhje për sanimin e vrimave në fond, potencoi sot Gligor Bishev, kryetar i Këshillit fiskal.

"Ne kemi një diagnozë dhe diagnoza është e përbashkët. Ekziston një konsensus, e ajo është se ka mungesë të mjeteve. Mbetet për t'u përcaktuar terapia. Diskutohet për terapinë dhe ne nuk jemi zëvendësues i politikëbërësve ekonomikë. Kjo në një debat më të gjerë është zgjidhje që duhet të miratohet dhe të zgjidhet përfundimisht nga bartësit e politikave ekonomike", deklaroi Bishev në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve para fillimit të prezantimit të Raportit të Bankës Botërore për vendin.

Vlerësoi se përderisa nuk gjendet zgjidhje, atëherë Fondi për sigurim pensional dhe invalidor do të duhet të financohet me afat më të gjatë nga buxheti.

"Për vitin 2025 dhe 2026 kjo përqindje arrin në 37-38 për qind të pagesave totale për pensione dhe kjo nuk është diçka e zakonshme, por theksojmë se ky vëllim tashmë është një barrë edhe për vetë buxhetin. Ato janë mjete të mëdha dhe për shkak të qëndrueshmërisë së buxhetit, do të duhet të gjenden të hyra adekuate brenda buxhetit, sepse edhe mjetet në buxhet kanë dedikim të caktuar", tha Bishev.

Theksoi se pagesat e pensioneve, të cilat këtë vit ishin me 8,8 për qind të BPV-së, arrijnë rreth 10,3 për qind të BPV-së, ndërsa me rritjen e paralajmëruar në vitin 2026, arrijnë në 11,5 për qind të BPV-së.

"Për të rritur pjesëmarrjen e pensioneve, në BPV-së duhet të reduktohet diçka tjetër - nëse është kjo konsumi personal, nëse është investimi, apo paga. Ne e kemi deklaruar atë, e kemi vënë në dukje dhe tani mbetet të përcaktohen politikat e duhura. Një nga politikat është që kjo pjesëmarrje të mbetet me atë përqindje në kohë afatgjate", potencoi Bishev.

Refuzoi të komentojë nëse është i mirë opsioni për nacionalizim të Fondit të dytë pensional, siç sugjerojnë disa.

"Këtë nuk na takon ne ta komentojmë. Ne jemi një organ i pavarur ekspert, i cili ka funksion të evidentojë rreziqet që ekzistojnë për stabilitetin e financave publike. Ne e kemi bërë këtë dhe nuk duam t'i marrim funksionet që u takojnë bartësve të politikave ekonomike, e ato funksione janë të Qeverisë dhe besojmë plotësisht se Qeveria ka ekspertë dhe institucione përkatëse, të cilët do të gjejnë zgjidhjen e duhur", theksoi Bishev. rq/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR