Bisedimet për armëpushim në Gazë dhe lirimin e pengjeve kanë ngecur, Netanjahu e fajëson Hamasin
- - Përpjekjet ndërkombëtare për të arritur armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit dështuan sot pasi Izraeli tërhoqi ekipin e tij negociues, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu akuzoi Hamasin për ngecje të bisedimeve me kërkesat e tyre "iluzore".
- Post By Fitore Curri
- 20:58, 14 shkurt, 2024
Nju-Jork, 14 shkurt 2024 (MIA) - Përpjekjet ndërkombëtare për të arritur armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit dështuan sot pasi Izraeli tërhoqi ekipin e tij negociues, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu akuzoi Hamasin për ngecje të bisedimeve me kërkesat e tyre "iluzore".
Komentet e Netanjahut vijuan disa orë pasi mediat lokale publikuan se lideri izraelit e ka urdhëruar delegacionin izraelit që të mos i vazhdojë bisedimet në Kajro, duke shkaktuar shqetësim për fatin e bisedimeve dhe një varg të kritikave nga familjet e rreth 130 pengjeve të tjera, rreth një e katërta për të cilët besohet se tashmë janë të vdekur.
Familjarët e pengjeve deklaruan se vendimi i Netanjahut është i njëjtë me "dënimin me vdekje" për më të afërmit e tyre.
Përpjekjet për ndërmjetësim të udhëhequra nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari synojnë të shtyjnë palët ndërluftuese drejt një marrëveshjeje që do të siguronte armëpushim në luftën disamujore në të cilën janë vrarë më shumë se 28.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore lokale. Luftimet kanë shkatërruar një pjesë të madhe të Gazës, kanë zhvendosur shumicën e popullsisë së enklavës dhe kanë shkaktuar katastrofë humanitare.
"Në Kajro, Izraeli nuk mori kurrfarë propozimi nga Hamasi për lirimin e pengjeve tona", thuhet në kumtesën e Netanjahut. "Ndryshim i mundshëm i pozicioneve të Hamasit do të mundësojë progres në bisedime".
Përfaqësuesit e Hamasit nuk ishin të kapshëm për koment, informuan mediat amerikane.
Mediat izraelite sot akuzuan se Netanjahu i ka thënë delegacionit të tij që të mos kthehet në bisedime nëse Hamasi nuk i zbut kërkesat e tij.
Palët ndërluftuese dukshëm dallojnë lidhur me kushtet e marrëveshjes. Netanjahu premtoi se do ta vazhdojë luftën deri në "fitoren totale" ndaj Hamasit dhe kthimin e të gjithë pengjeve të mbetur.
Hamasi bëri të ditur se nuk do t'i lirojë të gjithë pengjet derisa Izraeli nuk e përfundon ofensivën, nuk tërhiqet nga Gaza dhe nuk liron një numër të madh të të burgosurve palestinezë, përfshirë edhe komandantë të lëvizjes palestineze. Netanjahu i hodhi poshtë këto kërkesa, duke i quajtur "iluzore". fc/
Fotografia: EPA