• e hënë, 23 dhjetor 2024

Biseda telefonike të Mucunskit me homologë të tij nga disa shtete për përballjen me zjarret

Biseda telefonike të Mucunskit me homologë të tij nga disa shtete për përballjen me zjarret

Shkup, 16 korrik 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski sot ka realizuar bisedë telefonike me ministrin e Punëve Evropiane dhe të Jashtme të Austrisë, Aleksandar Shalenberg, ministren e Punëve të Jashtme të Rumanisë, Luminita Odobesku, ministren e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Gërlliç Radman. 

Siç bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, në fokus të bisedimeve ishin zjarret pyjore aktive në vend, me çka ishte ofruar mbështetje për vendin për tejkalimin e tyre. Një pjesë e mbështetjes realizohet në kuadër të Mekanizmit për Mbrojtje Civile të BE-së, që përfaqëson shprehje të solidaritetit evropian. 

Komunikimi i Mucunskit me homologët e tij zbatohet në kuadër të aksionit për sigurimin e ndihmës për shuarjen e zjarreve, që zbatohet në koordinim me kryetarin e Qeverisë, Hristian Mickoski. 

"E vlerësojmë lartë gatishmërinë e miqve tanë nga Austria, Greqia, Rumania, Sllovenia dhe Kroacia për mbështetje në përballjen me zjarret aktive pyjore. Një hap i tillë është shprehje solidariteti, i cili është i domosdoshëm për tejkalimin e këtij lloji sfidash. Me këtë rast shpreh mirënjohjen time për ndihmën e dhënë, e cila është shprehje shtesë e miqësisë sonë shumëvjeçare", theksoi Mucunski.

Ka theksuar se çdo lloj ndihme në përpjekjet për shuarjen e zjarreve është mëse e mirëseardhur. Vendi i ka vendosur në funksion të gjitha kapacitetet për normalizimin e situatës, që bashkë me ndihmën që vjen nga vendet e rajonit dhe Evropa do të sjellë rezultate të dukshme në këtë fushë, thonë nga Ministria e këtij dikasteri. 

Gjatë ditës së sotme Mucunksi ka realizuar bisedë telefonike edhe me homologun e tij grek, Jorgos Gerapetritis. 

"Në kuadër të bisedës u shpreh nevoja dhe gatishmëria për bashkëpunim të ndërsjellë në përballjen e sfidave të tilla", thuhet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.

Republika e Maqedonisë së Veriut është përfshirë nga zjarret në zona të ndryshme si pasojë e temperaturave jashtëzakonisht të larta. Në procesin e sigurimit dhe koordinimit të ndihmës nga vendet mike, të cilin e udhëheq kryeministri Hristijan Mickoski, përveç ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, të përfshirë janë edhe ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe drejtori i QMK-së, Stojançe Angelov. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR