• e diel, 22 dhjetor 2024

Bajden: Islamofobia nuk ka vend në vendin tonë

Bajden: Islamofobia nuk ka vend në vendin tonë

Uashington, 15 mars 2024 (MIA) - Presidenti amerikan Xho Bajden e dënoi “ripërtrirjen e rrezikshme të islamofobisë pas fillimit të luftës shkatërruese në Gazë”, transmetuan mediat britanike.

Shtëpia e Bardhë e publikoi deklaratën e saj me rastin e ditës së sotme ndërkombëtare kundër islamofobisë. Më 15 mars 2019, në një sulm në dy xhami në qytetin Krajstçrç të Zelandës së Re e humbën jetën 51 myslimanë që ishin mbledhur për lutjet e së Premtes. OKB-ja e ka shpallur këtë datë si Ditën Ndërkombëtare Kundër Islamofobisë në vitin 2021.

Kohët e fundit, avokatët e të drejtave të njeriut kanë vënë re një rritje të islamofobisë, ndjenjave anti-palestineze dhe antisemitizmit si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në vende të tjera.

Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike kumtoi se ka pranuar 3.578 ankesa në tre muajt e fundit të vitit të kaluar dhe se është duke parë "një valë të vazhdueshme urrejtjeje anti-myslimane dhe anti-palestineze". Numri i peticioneve të dorëzuara krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë shënoi një rritje prej 178 për qind.

"Ne e pranojmë se muslimanët shumë shpesh përballen me dhunë dhe urrejtje për shkak të besimeve të tyre fetare dhe se ka pasur një ripërtrirje të rrezikshme të islamofobisë që nga fillimi i luftës shkatërruese në Gazë. Islamofobia nuk ka vend në vendin tonë", ka shkruar Bajden në deklaratën e tij.

Sekretari shtetëro Entoni Blinken dënoi gjithashtu urrejtjen dhe dhunën kundër muslimanëve.

Grupet e të drejtave të njeriut e kanë krahasuar rinovimin e islamofobisë pas 7 tetorit me stigmatizimin e islamofobisë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. ls/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR