• e hënë, 23 dhjetor 2024

Bexheti për seancën e nesërme të KQ-së së BDI-së: Shpresoj se do të vazhdohet debati për çështjet që krijojnë dallime në parti

Bexheti për seancën e nesërme të KQ-së së BDI-së: Shpresoj  se do të vazhdohet debati për çështjet që krijojnë dallime në parti

Shkup, 24 mars 2023 (MIA) – Bashkimi Demokratik për Integrim nesër në selinë e partisë në Reçicë të Vogël do të mbajë seancë të Kryesisë Qendrore, në rendin e ditës së së cilës pritet të jetë debati për “Frontin për Evropën”.

Sekretari organizativ i BDI-së dhe njëherësh kryetar i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, shpreson që në seancën e nesërme të Kryesisë Qendrore do të vazhdojë debati për çështjet “që krijojnë dallime mes pushtetit ekzekutiv dhe një pjese të konsiderueshme të partisë”. 

 "Në seancën e fundit u miratua  konkluzioni se duhet të shqyrtohen të dy raportet  dhe të vazhdohet  debati për raportin  i cili ka të bëjë me llogaridhënien, që është transparencë, vlerë evropiane dhe besoj se së paku pres që të vazhdohet të debatohet për të gjitha çështje që realisht krijojnë dallime mes pushtetit ekzekutiv dhe një pjese të konsiderueshme të Bashkimit Demokratik për Integrim.  Duhet të vazhdojë ajo pikë e rendit të ditës  për të parë nëse ka funksionuar, nëse ka rezultate dhe nëse janë përmbushur me angazhime konkrete dhe realizim të projekteve, sipas programit zgjedhor të BDI-së. Kjo do të  propozohet si pikë e rendit të ditës", tha sot  Bexheti pas nënshkrimit të Marrëveshjes për binjakëzimin e komunave të Shkupit, Sarajit dhe Çairit me Komunën  e L-Islës nga Malta.

Një grup anëtarësh të shquar të BDI-së, të cilët u quajtën "Grupi i zjarrit", në fund të shtatorit publikuan letër të hapur në të cilën akuzonin se organet statutore të partisë nuk ekzistonin dhe nuk ishin formuar në parti për gati dy vjet dhe se vendimmarrja politike është bërë individuale. Në letrën e nënshkruar nga rreth 20 anëtarë të BDI-së, mes tyre Izet Mexhiti, Musa Xhaferi, Visar Ganiu, Nevzat Bejta, Blerim Bexheti, Merita Koxhaxhiku, bëhet thirrje për debat brenda partisë për tejkalimin e situatës dhe apel kreut të partisë Ahmeti” që të shfrytëzojë autoritetin e tij politik dhe statutor në mënyrë që të arrihet zgjidhje për ruajtjen e unitetit partiak”. 

"Në BDI për gati dy vjet nuk ekzistojnë dhe nuk janë themeluar organet statutore partiake . Si pasojë e kësaj, vendimmarrja politike u bë pronë individuale. Nuk ka debat dhe konsultim me bazat partiake. Zgjedhjet kadrovike janë kthyer në privilegj të individit Artan Grubi", bëhet e ditur mes tjerash në letër. Nënshkruesit bënë të ditur se “sjellja arrogante e pushtetit ekzekutiv” në krye me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministër i sistemit politik dhe marrëdhënie mes bashkësive Artan Grubi, shkaktoi “pakënaqësi, revoltë dhe pasivitet të strukturave dhe të votuesve”. 

 Pas kësaj, në fillim të tetorit është mbajtur takimi i “të zjarrtëve” me kryesinë e BDI-së, në të cilin është rënë dakord që më 15 tetor të zgjidhet kryesia e re e partisë. Në këtë tubim të mbajtur në Tetovë, nënkryetarë të partisë janë zgjedhur Izet Mexhiti, Arbër Ademi, Bajram Rexhepi dhe Arbana Pasholli. Sekretar i përgjithshëm i BDI-së është zgjedhur Faton Ahmeti, sekretar organizativ Blerim Bexheti dhe sekretare për mundësi të barabarta Saranda Imeri. Anëtarë të Këshillit Qendror u zgjodhën Ali Ahmeti, Ramiz Merko, Jeton Shaqiri, Fatmir Dehari, Kreshnik Bekteshi, Talat Xhaferi, Nevzat Bejta, Valdet Xhaferi, Teuta Arifi, Xhevat Ademi, Artan Grubi, Bujar Osmani, Visar Ganiu, Nazim Bushi, Ejup Alimi, Ariane Daci, Besnik Emshiu, Mirsad Ibrahimi, Ardita Dani, Bilent Sali, Resi Abdurrahmani, Shergil Beqiri, Shaban Memeti, Artin Spahiu dhe Emir Sulejmani.

Mirëpo, përkundër përfshirjes së pjesëtarëve të të ashtuquajturit "Grup i zjarrit" në kryesinë më të lartë të BDI-së, anëtarët e tij vazhduan aktivitetet në terren, duke mbajtur takime me anëtarët partiakë dhe votuesit anembanë vendit, ku i prezantuan angazhimet e tyre për ndryshime në partinë.

 Përplasja  në BDI u intensifikua veçanërisht pasi Ahmeti  koordinator të degës së Çairit e  emëroi shefin e diplomacisë Bujar Osmanin, veprim të cilin për "grupin e zjarrit" është  jostatutor  sepse  Izet Mexhiti është kryetar i degës së Çairit. Ata  vendimin e këtillë e interpretojnë si eliminim të “grupit të zjarrit” nga partia dhe paralajmërim se presin hapa të ngjashëm edhe ndaj “koordinatorëve të tjerë të pabindur”. ar/

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR