Bexheti: Akuzat penale janë të sajuara politikisht dhe të pabazuara ligjërisht, për të ushtruar presion për të rritur shumicën
- Deputeti i BDI-së Blerim Bexheti, i cili shërbeu si kryetar i komunës së Sarajit për tre mandate, sot në një konferencë për shtyp në Kuvend u ndal në kallëzimin penal të ngritur dje kundër disa personave, përfshirë edhe vetë atë, për përvetësim prej 108 milionë denarësh ose 1.7 milionë eurosh, duke theksuar se ai është i sajuar politikisht dhe i pabazuar ligjërisht. Sipas tij, akuzat janë pjesë e një gjuetie të organizuar, të drejtuar nga qeveria dhe drejtpërdrejt nga kryeministri Hristijan Mickoski, me, siç theksoi ai, qëllimin e qartë për të ushtruar presion mbi të si deputet me qëllim rritjen e shumicës së tij.
- Post By Sara Ademi
- 15:13, 14 nëntor, 2025
Shkup, 14 nëntor 2025 (MIA) - Deputeti i BDI-së Blerim Bexheti, i cili shërbeu si kryetar i komunës së Sarajit për tre mandate, sot në një konferencë për shtyp në Kuvend u ndal në kallëzimin penal të ngritur dje kundër disa personave, përfshirë edhe vetë atë, për përvetësim prej 108 milionë denarësh ose 1.7 milionë eurosh, duke theksuar se ai është i sajuar politikisht dhe i pabazuar ligjërisht. Sipas tij, akuzat janë pjesë e një gjuetie të organizuar, të drejtuar nga qeveria dhe drejtpërdrejt nga kryeministri Hristijan Mickoski, me, siç theksoi ai, qëllimin e qartë për të ushtruar presion mbi të si deputet me qëllim rritjen e shumicës së tij.
Drejtoria e Policisë Financiare ngriti dje kallëzime penale në Prokurorinë Themelore Publike - Shkup kundër disa personave, përfshirë Bexhetin, me dyshimin se grupi i udhëhequr nga kryetari i atëhershëm i komunës ka sajuar urbanizimin e një parcele të paurbanizuar në PDU, ka përpunuar një leje ndërtimi të rreme, ka sajuar kompensim për zhvillimin e tokës ndërtimore dhe madje ka kryer një "inspektim teknik" të objektit të ndërtuar ilegalisht, në pronësi të një kompanie nga Glumova, fshati i lindjes së Bexhetit.
"Sot u them publikisht atyre se as unë dhe as ndonjë deputet tjetër i BDI-së nuk ka frikë nga këto konstrukcione dhe nuk do t'i nënshtrohet presionit nga qeveria! Kallëzimi penal i ngritur nga Policia Financiare është tërësisht i pabazuar, dhe për këtë arsye ne do të ngremë procedura përkatëse kundër drejtorit Slobodan Ivanovski, zëvendësdrejtorit Ylber Imeri dhe dy personave të tjerë që së bashku si një bandë e organizuar po implementojnë këtë orkestrim të persekutimit politik. Ne do të dëshmojmë përmes provave që kemi, se urdhrat vijnë direkt nga kryeministri Mickoski, e të cilat janë një përpjekje e drejtpërdrejtë për të ushtruar presion mbi mua si deputet me qëllim rritjen e shumicës në parlament. Prandaj, sot po u drejtohem publikisht me një mesazh se funksionet e tyre nuk janë të përjetshme, por lufta jonë për të drejtat e shqiptarëve që udhëheqësi ynë Ali Ahmeti e ka udhëhequr për më shumë se 20 vite është e ndershme dhe e sinqertë. Asnjë nga deputetët e BDI-së nuk do t'i nënshtrohet presionit tuaj dhe nuk do t'i bashkohet as Ju as VLEN-it, aq më pak unë", tha Bexheti.
Kur u pyet nëse argumenti kryesor i Policisë Financiare ishte dhënia e lejes për ndërtim në një kohë kur nuk kishte PDU, Bexiti tha se PDU u miratua kur ai ishte kryetar komune dhe ministri dhe kryetari i Shkupit ishin nga radhët e VMRO-DPMNE-së.
"Ekziston një Plan i Detajuar Urban, u përgjigj Bexheti dhe theksoi se të gjitha procedurat e komunës janë kryer në kuadër të kompetencave ligjore me dokumente dhe akte të vlefshme dhe në asnjë moment nuk ka pasur qëllim, përfitim apo dëm", tha Bexheti.
Ai shtoi se edhe në Ligji për Vetëqeverisjen Lokale thotë qartë se kryetari i komunës lëshon leje ndërtimi, është obligim i tij ligjor, jo kriminalitet.
"Ligji i Ndërtimit lejon dhënjen e lejes vetëm të bazuar në një plan ose projekt urbanistik të vlefshëm, dhe kjo është pikërisht ajo që është bë. Nuk ka dëme materiale, asnjë humbje as prej një denarës për komunën. Gjithçka është e dokumentuar dhe gjithçka është e pastër. Dje ata flisnin në mënyrë skandaloze për "108 milionë denarë dëm"? Kjo është vetëm një sajesë për të krijuar një spektakël mediatik, për të shpifur dhe frikësuar, por gënjeshtrat nuk janë prova. Pikërisht për këtë arsye kjo padi e tyre e sajuar dhe e porositur politikisht do të dështojë", shtoi Bexheti, sipas të cilit kjo padi nuk është vetëm sulm ndaj tyre, por ndaj dinjitetit të shqiptarëve.
Kur u pyet nëse e njihte dhe nëse ishte i afërt me investitorin, ai tha se si kryetar i komunës së Sarajit për tre mandate, i njihte pothuajse të gjithë dhe sigurisht investitorin, por shtoi se nuk ishte i afërt me të.
Lidhur me mënyrën se si do të veprojë grupi parlamentar i BDI-së në Parlament lidhur me ligjet e pazgjidhura, siç janë Ligji Zgjedhor, Ligji për Vetëqeverisje Lokale..., për të cilat kërkohet Badenteri, Bexheti tha se deputetët e BDI-së dhe të koalicionit nuk janë një tërësi dekorimesh që miratojnë gjithçka që propozon Qeveria dhe shumica parlamentare. Ai tha se vendi ka marrë raportin më të keq nga Komisioni Evropian deri më tani dhe se ata, si grup parlamentar, janë të gatshëm të mbështesin gjithçka që është thelbësore dhe që korrespondon me standardet evropiane.
Drejtoria e Policisë Financiare ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike - Shkup kundër tetë personave - ish-funksionarë dhe të punësuar në Komunën e Sarajit dhe Qytetin e Shkupit, si dhe një inxhinier mbikëqyrës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar, punë të pakujdesshme në shërbim dhe falsifikim ose shkatërrim të librave afaristë.
Siç informuan nga Administrata, janë ngritur kallëzime penale kundër personave B.B. në cilësinë e ish kryetarit të komunës, S.Sh. dhe K.K. në cilësinë e ish-sekretarëve në Komunën e Sarajit, A.S. dhe Q.A. në cilësinë e udhëheqësve të sektorit të planifikimit urban në Komunën e Sarajit, A.Sh. në cilësinë e bashkëpunëtorit të ri në Komunën e Sarajit, I.B.Sh. në cilësinë e udhëheqësit të sektorit të planifikimit dhe zhvillimit hapësinor në Qytetin e Shkupit dhe L.T. në cilësinë e inxhinierit mbikëqyrës, për veprat penale si në vijim: "Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar" sipas nenit 353 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë, "Kryerje e pakujdesshme e detyrës" sipas nenit 353–c të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë dhe "Falsifikim ose shkatërrim i librave afaristë" sipas nenit 280 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë.
"Ekzistojnë baza për dyshim se personat e raportuar, punonjës të Komunës së Sarajit, megjithëse ishin në dijeni se nuk kishte një plan të detajuar urbanistik të miratuar për parcelën kadastrale KP 10405/6 KO Saraj, duke tejkaluar autorizimet e tyre zyrtare, ata përgatitën dhe miratuan një ekstrakt nga plani dhe një leje ndërtimi me përmbajtje të rreme, si dhe llogaritje për kompensim për zhvillimin e tokës ndërtimore, në kundërshtim me rregulloret ligjore, dhe inxhinieri mbikëqyrës kreu një inspektim teknik të objektit dhe përgatiti një raport përfundimtar me përmbajtje të rreme", njoftoi dje Drejtoria e Policisë Financiare.
Në këtë mënyrë, thuhet në kumtesën e djeshme, të raportuarit, duke keqpërdorur pozitën dhe autorizimet e tyre zyrtare, si dhe duke kryer detyrat e tyre në mënyrë të pakujdesshme, i kanë mundësuar personit juridik "Azra Idriz" SHPK fshati Glumovë, Shkup - Saraj të përfitojë interes pronësor të kundërligjshëm në shumë prej 108.638.840 denarësh. sa/
Foto: MIA arkivi