• e diel, 22 dhjetor 2024

Besimi takime në FMN – Përcaktimi ynë është reagimi ndaj sfidave dhe sigurimi i normave të qëndrueshme të rritjes ekonomike

Besimi takime në FMN – Përcaktimi ynë është reagimi ndaj sfidave dhe sigurimi i normave të qëndrueshme të rritjes ekonomike

Shkup, 13 prill 2023 (MIA) - Masat dhe politikat e zbatuara nga Republika e Maqedonisë së Veriut e ruajtën stabilitetin makroekonomik, deficiti buxhetor shënon ulje, borxhi publik është në nivel të qëndrueshëm, inflacioni tregon trend në rënie në kuadër të kritereve të Mastrihtit, ndërsa ekonomia është rezistente dhe në zonë pozitive, u konstatua gjatë takimeve të realizuara në kuadër të takimeve pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Washington të ministrit të Financave, Fatmir Besimi me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të FMN-së, Bo Lee dhe drejtorin e FMN-së për Evropë, Alfred Kamer.

“Pasiguria dhe sfidat nga kriza janë ende të pranishme në suaza globale që ndihen edhe në Republikën e  Maqedonisë së Veriut. Përcaktimi ynë është reagimi ndaj sfidave në periudhë afatshkurtër dhe vazhdimi i përcaktimit tonë afatmesëm për konsolidimin fiskal dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike.

Masat e ndërmarrura të përballimit të krizës së çmimeve tashmë tregojnë efekte me uljen e normës së inflacionit pesë muaj radhazi prej 19.8% në muajin tetor, me ç’rast në muajin mars norma ishte 14.7%.

Nga fillimi i këtij viti, deficiti buxhetor shënon ulje për rreth 16% në krahasim me atë të periudhës së njëjtë të vitit 2022, duke përfshirë muajin dhjetor të vitit 2022, borxhi publik është në nivel prej 57.1%, borxhi shtetëror në fund të muajit shkurt shënon 44.9% të PBB-së, të hyrat e përgjithshme nga fillimi i këtij viti shënojnë rritje prej 15%, aktiviteti ekonomik tregon rezistencë dhe rritje, eksporti shënon rritje prej 10.2% gjatë dy muajve të parë të viit 2023, shkalla e papunësisë shënon ulje dhe është në nivelin historik më të ulët prej 14%”, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Ministri Besimi potencoi se, politikat e mirëfillta dhe të qëndrueshme u identifikuan nga FMN-ja në vitin e kaluar, duke aprovuar mjete nga Instrumenti për përkujdesje dhe likuiditet – PPL. “Kjo paraqet përkrahjen e politikave të zbatuara sa i përket ballafaqimit me krizën dhe vendosjes së bazës për rritje të mëtejshme afatgjate.

Në kohë krize, sa i përket politikave të mirëfillta, për investitorët është sinjal edhe përkrahja kur kushtet lidhur me mjetet financiare të tregjeve bëhen të shtrenjta dhe të kufizuara”, theksoi Besimi dhe shtoi se si konfirmim i politikave ishte interesimi i madh i investitorëve në ankandin për euroobligacionin e 9-të që u emetua gjatë muajit mars të vitit 2023, konfirmimi i vlerësimit të kredisë nga agjencitë Fitch dhe Standard & Poor’s, si dhe interesi për investime të huaja në vend,  që vitin e kaluar arritën mbi 750 milionë euro ose për mbi 60% më të larta, krahasuar me vitin 2021.

Po ashtu, në këtë takim u theksua se ndikim pozitiv pritet të ketë realizimi i projekteve kapitale, për të cilat në buxhetin e vitit 2023 projektohen 800 milionë euro, si dhe investimet në zonat industriale.

Gjatë takimit, ministri iu referua reformave të implementuara në sferën e financave publike, Ligjit të Ri të Buxheteve dhe përkrahjes që mund të merret në procesin reformues, nëpërmjet të cilit do të vendoset sistemi i ri modern i buxhetimit, bazuar në transparencë, llogaridhënie dhe alokim të mjeteve ku do të ofrojë rezultate më të mira.

Në kuadër të Takimeve pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore, ministri Besimi do të realizojë takim me nënkryetaren e re të rajonit të Evropës dhe Azisë Qendrore, Antonella Bassani dhe drejtorin ekzekutiv, Koen Davidse. ls/

Foto; Ministria e Financave. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR