Besent: Rreth 100 vende do të përballen me tarifat prej 10 për qind
- Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin tarifa prej 10 për qind për rreth 100 vende, deklaroi mbrëmë sekretai amerikan i Financave, Skot Besent, duke shtuar se pret një "valë" marrëveshjesh tregtare para afatit përfundimtar më 9 korrik, kur tarifat pritet të rriten ndjeshëm.
- Post By Qefsere Abduli
- 08:03, 4 korrik, 2025
Uashington, 4 korrik 2025 (MIA) - Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin tarifa prej 10 për qind për rreth 100 vende, deklaroi mbrëmë sekretari amerikan i Financave, Skot Besent, duke shtuar se pret një "valë" marrëveshjesh tregtare para afatit përfundimtar më 9 korrik, kur tarifat pritet të rriten ndjeshëm.
Nëse 100 vende do të preken nga tarifat prej 10 për qind, kjo do të ishte më pak se 123 shtetet që fillimisht i projektoi administrata e Trampit.
Në prill, presidenti amerikan përkohësisht i uli tarifat për të gjitha vendet në 10 për qind për t'u dhënë kohë të negociojnë. Shumë vende me një normë fillestare të tarifave prej 10 për qind ende nuk kanë negociuar me Trampin, përveç Britanisë së Madhe, e cila në maj arriti një marrëveshje për të mbajtur normën prej 10 për qind dhe mori trajtim preferencial në disa sektorë.
Partnerët kryesor tregtar të cilët aktualisht janë në bisedime me SHBA-në mundë të përballen me tarifa më të larta, përfshirë 20 për qind për Bashkimin Evropian, 26 për qind për Indinë dhe 24 për qind për Japoninë.
Vendet e tjera të cilat nuk janë në bisedime me Trampin mundë të përballen me tarifa edhe më të larta - përfshirë 50 për qind për Lesoton, 47 për qind për Madagaskarin dhe 36 për qind për Tajlandën. qa/
Foto: Arkivi i EPA-s