• e mërkurë, 26 qershor 2024

Berlini: Kërkesa për arrestimin e liderëve të Izraelit dhe Hamasit jep imazh të rremë të ekuivalencës

Berlini: Kërkesa për arrestimin e liderëve të Izraelit dhe Hamasit jep imazh të rremë të ekuivalencës

Berlin, 21 maj 2024 (MIA) - Gjermania vlerëson se kërkesa e prokurorisë së Gjykatës ndërkombëtare penale (GJNP) për lëshimin e urdhërarrestit për liderët e Izraelit dhe Hamasit nën dyshimin se kanë kryer krime lufte japin "përshtypje të rremë të ekuivalencës”.

"Dorëzimi i njëkohshëm i urdhërarrestit për liderin e Hamasit nga njëra anë dhe dy zyrtarëve izraelitë nga ana tjetër dha një përshtypje të rreme të ekuivalencës”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë duke kujtuar se më 7 tetor “Hamasi kreu një masakër barbare” në komunitetet në jug të Izraelit.

"Hamasi vazhdon të mbajë pengje izraelite në kushte të papërshkrueshme, sulmon Izraelin me raketa dhe përdor popullsinë civile të Gazës si mburojë. Qeveria izralite ka të drejtë dhe detyrim të mbrojë popullin e vet”, thuhet në kumtesë dhe vlerësohet se në këtë kontekst "është e qartë se e drejta ndërkombëtare humanitare zbatohet”.

Kryeprokurori i GjNP-së, Karim Kan, më herët sot deklaroi se janë dorëzuar urdhërarrestet kundër Netanjahut dhe ministrit të Mbrojtjes Joav Galant me akuzat për "shkaktim të shfarosjes, nxitje të urisë si një metodë lufte, duke përfshirë mohimin e ndihmës humanitare dhe targetimin e qëllimshëm të civilëve në konflikt."

Përveç kësaj, sot gjykata ka kërkuar arrestimin e liderëve të Hamasit - Jahja Sinvar, Mohamed Deif dhe Ismail Hanije. 

Të tre akuzohen për "shfarosje, vrasje, pengmarrje, përdhunim dhe sulm seksual". qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR