• e hënë, 23 dhjetor 2024

Berbok: Kina po zhvillon politikë të jashtme "agresive" dhe po ndërmerr veprime "represive"

Berbok: Kina po zhvillon politikë të jashtme

Berlin, 19 prill 2023 (MIA) - Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Analena Berbok sot e kritikoi ashpër Kinën, duke pohuar se Pekini është duke zhvilluar politikë të jashtme "agresive" dhe është duke ndërmarrë veprime "represive".

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të Parlamentit, tri ditë pas vizitës së saj në Pekin, Berbok tha se, edhe pse Kina akoma është partneri më i madh tregtar i Gjermanisë, ajo gjithashtu është konkurrente dhe rivale sistemore e demokracive perëndimore.

"Për fat të keq, përshtypja ime ishte se gjithnjë e më shumë është duke u rritur aspekti i rivalitetit sistematik. Jo vetëm se Kina po sillet në mënyrë më ofensive dhe më agresive jashtë vendit, por po bëhet edhe më represive edhe brenda vendit", tha ministrja gjermane.

Ajo e zbuloi se gjatë vizitës së saj dyditore në Kinë, nuk i ka përdorur telefonat e saj celular dhe është dashur t'i mbajë mbyllur në një kufer të vogël për shkaqe sigurie.

Berbok theksoi se Gjermania do t'i ribalancojë marrëdhëniet me Kinën, në pajtim me strategjinë e re të Bashkimit Evropian drejt këtij vendi.

"Do të donim të bashkëpunojmë me Kinën, kudo ku është e mundur. Por, nuk dëshirojmë t'i përsërisim gabimet e së kaluarës. Nuk dëshirojmë të jemi naivë dhe të besojmë se ndryshimi do të vijë përmes tregtisë", deklaroi Berbok.

Foto: EPA/MIA

QËNDRONI TË LIDHUR