• e enjte, 04 dhjetor 2025

Beqiri: Me lojë të mirë dhe mbështetje nga publiku deri në fitore ndaj Shelburnit

Beqiri: Me lojë të mirë dhe mbështetje nga publiku deri në fitore ndaj Shelburnit

Shkup, 22 tetor 2025 (MIA) - Në kampin e Shkëndijës mbizotëron optimizëm para duelit të nesërm në Shkup kundër Shelburnit, në kuadër të xhiros së dytë të fazës kryesore të Ligës së konferencës, ndërsa trajneri Jeton Beqiri beson se me lojë të mirë dhe mbështetje nga tribunat në Arenën kombëtare "Todor Proeski", kampioni i Maqedonisë së Veriut mundë të arrijë fitore ndaj kundërshtarit nga Irlanda.

"Kemi pasur kohë të mjaftueshme për t'u përgatitur. Edhe pse kundërshtari ka stil të ndryshëm loje nga ne, dëshiroj që me lojë të mirë dhe të mençur të arrijmë te fitorja. E kemi analizuar në detaje ekipin e Shelburnit dhe duhet të luajmë me cilësi. Shpresojmë për lojë të mirë, përkrahje nga publiku dhe fitoren e tre pikëve", deklaroi Beqiri në konferencën për shtyp para duelit të nesërm me fillim në orën 18:45.

Shkëndija debutimin e saj historik në fazën kryesore të garave evropiane për klube e filloi me humbje prej 2-0 nga ekipi i La Ligës, Rajo Valjekano, në ndeshjen si mysafir në Madrid.

"Në duelin me Valekanon pamë se si luhet futbolli modern dhe nuk është rastësi që ekipet spanjolle gjithmonë janë në majë. Rajo luan futboll të nivelit të lartë dhe shumë bashkëkohor. Shpresoj që kemi mësuar diçka nga ajo ndeshje dhe se ajo përvojë do të na ndihmojë në të ardhmen", theksoi trajneri i Shkëndijës. qa/

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR