• e martë, 24 dhjetor 2024

Bekteshi: Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të rëndësishëm në procesin e dekarbonizimit

Bekteshi: Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të rëndësishëm në procesin e dekarbonizimit

Shkup, 30 qershor 2023 (MIA) - Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot në Tepelenë të Republikës së Shqipërisë mori pjesë në takimin joformal ministror të Komunitetit të Energjisë. Takimi u drejtua nga Belinda Balluku, zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, që është vendi kryesues i Komunitetit të Energjisë për vitin 2023.

Në takim fjalim mbajtën edhe Kurt Vanderberg, Drejtori Gjeneral i Drejtorisë për aktivitete klimatike (DG CLIMA), Mehtild Vorsderfer, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Energjisë (DG ENER) dhe Artur Lorkovski, drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

Në takim u diskutua për disa tema energjetike, të cilat mbulohen nga marrëveshja për themelimin e Komunitetit të Energjisë.]

Fokusi kryesor mes ministrave të Energjisë, siç kumtuan sot nga Ministria e Ekonomisë, ishin planet dhe gatishmëria e sistemeve energjetike të vendeve anëtare për dimrin e ardhshëm, si dhe u diskutua për zbatimin e udhërrëfyesit për dekarbonizimin e Komunitetit të Energjisë.

Në fjalën e tij, ministri Bekteshi tha se politikat energjetike dhe klimatike në Maqedoninë e Veriut janë plotësisht në përputhje me legjislacionin evropian dhe me Komunitetin e Energjisë dhe se përkundër krizës energjetike, Qeveria është duke punuar në mënyrë aktive paralelisht në kalimin e energjisë në energjinë e gjelbër, gjegjësisht në përdorimin e diellit, erës dhe ujit për të ndryshuar gradualisht prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri në prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme

“Meqenëse më shumë se 70% e emetimeve të gazrave serrë në Maqedoninë e Veriut vijnë nga sektori energjetik, dekarbonizimi është një nga shtyllat kryesore të Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Energjisë deri në vitin 2040, Plani Nacional i Energjisë dhe Klimës (NECP), Strategjia afatgjate e veprimit klimatik dhe kontributet e zgjeruara të përcaktuara në nivel nacional (NDC) për ndryshimin e klimës, të gjitha të miratuara gjatë viteve të fundit. Varësia e vendit nga importet e gazit natyror, si dhe nga shumica e karburanteve, e bën skenarin e dekarbonizimit dukshëm të cenueshëm ndaj trazirave në tregjet e qymyrit, naftës, gazit natyror dhe energjisë elektrike të shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë”, tha Bekteshi.

Ministri tha se në kuadër të obligimeve të dekarbonizimit të ndërmarra nga Maqedonia e Veriut, planifikohet mbyllja e termocentraleve Oslomej dhe Manastir në periudhën e ardhshme dhe në këtë mënyrë të ndalohet prodhimi i energjisë elektrike nga qymyri, të rritet përqindja e burimeve të rinovueshme në sektori energjetik, një proces që ka nisur tashmë me investimet në centralet fotovoltaike, si dhe uljen e varësisë nga importi i energjisë elektrike.

"Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të konsiderueshëm në dekarbonizimin dhe veprimet klimatike në dokumentet nacionale strategjike dhe të veprimit për energjinë dhe klimën. Sipas Strategjisë së Zhvillimit të Energjisë, pjesa e BRE-ve në bruto konsumi final i energjisë pritet të rritet, duke arritur në intervalin 35-45% në vitin 2040”, tha Bekteshi dhe shtoi se vendi është i angazhuar fuqishëm për të garantuar sigurinë energjetike, për diversifikimin e burimeve të furnizimit me energji, tranzicionin energjetik dhe investimet në energjinë e gjelbër. bsh/

Foto: Ministria e Ekonomisë

QËNDRONI TË LIDHUR