Bekim Sali emërohet u.d. kryetar i Alternativës
- – Deputeti Bekim Sali i cili është propozuar për zëvendëskryeministër dhe ministër i Çështjeve Evropiane është zgjedhur ushtrues detyre kryetar i partisë politike Alternativa, pasi lideri i deritanishëm Zeqirija Ibrahimi ka dhënë dorëheqje të parevokueshme në mbledhjen e djeshme të Kuvendit Qendror të partisë.
- Post By Fitore Curri
- 12:13, 9 dhjetor, 2025
Shkup, 9 dhjetor 2025 (MIA) – Deputeti Bekim Sali i cili është propozuar për zëvendëskryeministër dhe ministër i Çështjeve Evropiane është zgjedhur ushtrues detyre kryetar i partisë politike Alternativa, pasi lideri i deritanishëm Zeqirija Ibrahimi ka dhënë dorëheqje të parevokueshme në mbledhjen e djeshme të Kuvendit Qendror të partisë.
Ibrahimi në publikimin në Fejsbuk, ku informon për dorëheqjen, thekson se ajo është rezultat i bindjeve dhe vizionit të tij politik, e jo për shkak të pakënaqësisë së brendshme. Sipas tij, ngjarjet e fundit në koalicionin VLEN kërkonin ritëm të ri dhe udhëheqësi të re, përderisa vetë ai ka planifikuar të mos kandidohet për rizgjedhje në kongres vitin e ardhshëm.
Ai thekson se VLEN ka hyrë në fazë ku “kërkohet projekt i ri politik, vizion i ri dhe energji e re”, duke vlerësuar se ka përmbushur një pjesë të misionit të tij për “largimin nga skena të klasës së vjetër politike, të cilën e vlerëson përgjegjëse për degradimin e përfaqësimit të shqiptarëve në vend”.
Ibrahimi, në publikimin e tij, rendit arritjet e Alternativës gjatë angazhimit të tij politik 11-vjeçar - nga promovimi i politikave konservatore, mbrojtja e identitetit kulturor dhe kombëtar, deri te edukimi i një gjenerate të re politikanësh në parti. Ai thotë se po largohet me ndjenjë krenarie, duke theksuar se angazhimi i tij nuk motivohet nga pushteti, por nga bindjet intelektuale dhe politike. Ai shprehu mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët, kolegët nga Alternativa dhe VLEN, si dhe për familjen e tij, dhe kërkoi falje nga të gjithë ata që, siç thotë ai, mund t'i ketë ofenduar në debatin politik, dhe thekson se personalisht nuk e konsideron askënd armik.
Edhe pse tërhiqet nga pozita e liderit, Ibrahimi thekson se mbetet i gatshëm të kontribuojë në parti dhe në VLEN përmes edukimit të të rinjve dhe transmetimin e përvojës së tij politike. fc/
Foto: Fejsbuku i Zeqirija Ibrahimit