BE-ja përforcon Rregulloren për siguri kibernetike
- Përforcimi i solidaritetit dhe kapaciteteve të BE-së për zbulim, mbrojtje dhe përgjigje ndaj kërcënimeve dhe incidenteve që lidhen me sigurinë kibernetike, si dhe përmirësimi i qëndrueshmërisë së Unionit në hapësirën e internetit, parashikojnë ndryshimet në Rregulloren për siguri kibernetike, për përmbajtjen e së cilës përfaqësuesit e Këshillit dhe Parlamentit Evropian arritën një marrëveshje gjatë natës së kaluar.
- Post By Lindita Sulejmani
- 10:46, 6 mars, 2024
Bruksel, 6 mars 2024 (MIA) - Përforcimi i solidaritetit dhe kapaciteteve të BE-së për zbulim, mbrojtje dhe përgjigje ndaj kërcënimeve dhe incidenteve që lidhen me sigurinë kibernetike, si dhe përmirësimi i qëndrueshmërisë së Unionit në hapësirën e internetit, parashikojnë ndryshimet në Rregulloren për siguri kibernetike, për përmbajtjen e së cilës përfaqësuesit e Këshillit dhe Parlamentit Evropian arritën një marrëveshje gjatë natës së kaluar.
Sipas Sekretarit shtetëror belg për digjitalizim, reforma administrative dhe mbrojtje të privatësisë, Matje Mishel, marrëveshja përfaqëson një moment historik të ri për qëndrueshmërinë kibernetike të Evropës.
"Këto rregulla do të forcojnë kapacitetet e BE-së dhe vendeve anëtare për t'u përgatitur, parandaluar, reaguar dhe rikuperuar nga kërcënimet apo incidentet e mëdha kibernetike", theksoi Mishel.
Ai shtoi se ndryshimet në Rregullore do të krijojnë mundësi për certifikimin e shërbimeve që do të duhet të mundësojnë një nivel të lartë të përbashkët të sigurisë kibernetike në BE, duke lehtësuar funksionimin e tyre ndërkufitar për mbrojtjen e qytetarëve dhe bizneseve evropiane.
Qëllimet kryesore të ndryshimeve të Rregullores, siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, janë të ofrojnë mbështetje për zbulimin dhe ndërgjegjësimin për kërcënimet dhe incidentet kibernetike, forcimin e qëndrueshmërisë dhe mbrojtjen e institucioneve kritike dhe shërbimeve thelbësore, siç janë spitalet dhe shërbimet publike. rritjen e solidaritetit në nivel të BE-së në përgjigje ndaj krizave kibernetike në vendet anëtare dhe garantimin e një mjedisi digjital të sigurt për qytetarët dhe bizneset.
Për zbulimin e shpejtë dhe efikas të kërcënimeve të mëdha digjitale, parashikohet krijimi i një "sistemi paralajmërues të sigurisë kibernetike", si një infrastrukturë panevropiane e përbërë nga qendra kombëtare dhe ndërkufitare në të gjithë BE-në, e cila do të jetë përgjegjëse për shkëmbimin e informacioneve dhe zbulimin dhe kundërshtimin e onlajn kërcënimeve.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu krijimin e një Mekanizmi për reagim në raste urgjente që lidhen me sigurinë kibernetike, i cili duhet të rrisë gatishmërinë dhe kapacitetet e BE-së për t'iu përgjigjur onlajn incidenteve.
Me ndryshimet ligjore vendoset edhe një Mekanizëm për vlerësim i cili do të duhet të vlerësojë efektivitetin e aktiviteteve të sigurisë kibernetike, si dhe kontributin e Rregullores në forcimin e pozicionit konkurrues të sektorëve industrialë dhe të shërbimeve të BE-së. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s